Dmitry Peskov, zëdhënës i presidentit rus, Vladimir Putin, njëkohësisht ndër protagonistët kryesor të agresionit në Ukrainë, si çdo herë tjetër edhe kësaj radhe i ka mohuar krimet e Rusisë në Ukrainë.
Por, gazetari i mediumit britanik, SkyNews, e ka përballur atë me dëshmi të qarta se si forcat ruse vritën edhe civilë në Bucha.
Peskov tha se e gjithë situata në Bucha, ku fotot tregojnë shumë civilë ukrainas të vrarë, ishte një “insinuatë e mirë-inskenuar, asgjë tjetër”. Por gazetari Mark Austin e ballafaqoi me fakte.
Peskovit iu shfaq një video ku shihet një civil duke lëvizur me bicikletë dhe pas kthesës qëllohet për vdekje nga një tank rus.
I pyetur se sa civilë kanë vdekur që nga fillimi i luftës më 24 shkurt, Peskov tha se nuk dëshironte të përgjigjej pasi numrat nuk ishin të konfirmuar.