image Kastrati i kundërpërgjigjet akuzave të Challandesit

Futboll

Kosova/ Kastrati i kundërpërgjigjet akuzave të Challandesit

news image

Futbollisti i talentuar nga Hogoshti, Lirim Kastrati ka qenë temë e “nxehtë” në prag të ndeshjeve eliminatore për Kampionatin Evropian “Euro2020”.

Përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes sot mbajti një konferencë për shtyp, në të cilën edhe sqaroi situatën e Kastratit. Madje, ai tregoi edhe për bisedën që ka zhvilluar me agjentin e futbollistit, i cili kishte kërkuar garanci nga Challandes se Lirimi do të ketë minuta për të luajtur.

Megjithatë, strategu zviceran u tregua mjaft i qartë se kjo nuk do të ndodhë, jo vetëm me futbollistin në fjalë, por me asnjë futbollist.

Po ashtu, Challandes ka deklaruar se në të ardhmen Kastrati mund të luajë për skuadrën A pa ndonjë problem, pasi nuk do të mbajë inat rreth kësaj çështje.

Insporti ka kontaktuar me Lirim Kastratin, për të marr edhe versionin e tij rreth kësaj situate.

Kastrati për Insportin ka deklaruar se asnjëherë nuk e ka refuzuar Kosovën dhe që sipas tij është e drejt që bisedojë me Challandes rreth çështjes së minutazhes.

“Unë nuk e kam refuzuar asnjëherë Kosovën A, madje unë kam pas ofertë nga Kombëtarja e Shqipërisë dhe nuk kam shkuar, por kam ardhur të luajë për Kosovën dhe për këtë jam shumë i lumtur. Menaxheri im ka biseduar me Challandesin dhe ka kërkuar të dijë a do të ketë minuta për mua apo jo. Besoj se është e drejt të pyesim dhe të shohim ku jemi. Kjo është bërë për faktin se ka ndeshje edhe Kombëtarja U21 dhe mendoj se më mirë është të luajë dhe ta ndihmoj Kosovën U21 se sa të qëndrojë në bankë”, ka thënë Kastrati.

Tutje, ai ka shtuar se është në formë të mirë dhe se gjithmonë ka respektuar vendimet e Challandes.

“Jam në formë të mirë te klubi im dhe dua të vazhdojë me këtë formë edhe te Kosova. Çdo herë i kam respektuar vendimet e Challandesit dhe do ti respektoj, pasi është trajner me përvojë. Kosovës A i uroj suksese në dy ndeshjet e radhës”, përfundoi sulmuesi 20-vjeçar.

Kastrati këtë sezon në kampionatin kroat për skuadrën Lokomotiva e Zagrebit ka shënuar pesë gola në shtatë paraqitje, si dhe ka dhuruar tre asiste.

Gjatë javës së ardhshme Kosova do të zhvillojë dy ndeshje në kuadër të eliminatoreve “Euro2020”, ndeshje të vlefshme të grupit A.

Ndeshjen e parë do të ketë kundër Republikës së Çekisë më shtatë shtator në stadiumin “Fadil Vokrri”, ndërsa pas tre ditësh do të përballet me gjigantin botëror, Anglinë.

Në listën e publikuar nga përzgjedhësi i “Dardanëve”, Bernard Challandes emri i Lirim Kastratit nuk figuroi.