Viti 2020 ishte me plot sfida e suksese për të gjitha sportet vendore në Kosovë. E me sfida u përballën edhe futbollistet e Kombëtares së Kosovës, të cilave nuk ju munguan as sukseset.
Për Sinjali Sportiv, kanë folur dy futbollistet e kombëtares, Florentina Kolgeci dhe Blerta Shala.
Kolgeci tha se ky vit ishte më ndryshe se sa vitet e kaluara por që edhe ka qenë një vit i suksesshëm.
“Ky vit ishte një vit ndryshe nga të tjerët për shkak të virusit pasi u ndërpre edhe aktiviteti sportiv për një kohë dhe është dashur që në kushte shtëpie të mbajm formën fizike, në anën tjetër mund të them se ka qenë një vit i suksesshëm pasi për herë të tretë radhazi fitova Kupën e Kosovës dhe u shpallëm kampion me ekipin e Mitrovicës po ashtu me ekipin kombëtar ishte pjesëmarrja e parë në kampionatin Evropian dhe mund të them se bëmë një përvojë të mirë si dhe dham paraqitje të mira”.
Futbollistet e Kosovës edhe këtë vit janë përballur me problemin e sigurimit të vizave.
“Gjatë këtij viti sfida më e madhe ishin lojët e Evropianit pasi kishim të bëjmë me kombëtare cilësore dhe të forta, sfidë në vete ka qenë loja kundër St Polten në Champions League për të cilën kemi pasur shumë probleme me vizat dhe mendoj që ky ka qenë një ndër shkaqet që sivjet skemi mundur të arrijmë në 32 skuadrat më të mira”.
Florentina Kolgeci tregoi se një nga ndeshjet e cila i ka lënë më së shumti mbresa ishte përballja kundër Turqisë.
“Të gjitha ndeshjet e kanë pasur atë rëndësinë e vet mirëpo ndeshja e cila do më mbetet në kujtesë gjithmonë është ajo kundër Turqisë pasi përkundër mungesave të lojtareve dhe lojës që kemi luajtur nga minuta e 35-të me dhjetë lojtare, kemi treguar një shpirt luftarak dhe nuk e kemi humbur atë ndeshje, mendoj që ta mundësh një kombëtare si Turqia dhe t’i nxjerrësh një barazim me një lojtar më pak tregon që nuk jemi larg kombëtareve cilësore”.
Portierja e Kombëtares së Kosovës foli edhe për përkrahjen e tifozëve.
“Futbolli i femrave në Europë në përgjithësi i kanë stadiumet e mbushura me tifoz. Fatkeqësisht këtë vit gjysma e ndeshjeve u zhvilluan pa shikues mirëpo para pandemisë kemi pasur mjaft shikues në stadium sidomos nuk mund ta harroj kundër Rusisë, ajo ndeshje ishte zhvilluar në Gjermani dhe tribuna ishte e mbushur me plot bashkatdhetarë të cilët mbanin flamuj kuq e zi dhe flamuj të Kosovës, pavarësisht se po humbisnim ata nuk u ndalën asnjëherë së brohorituri, mendoj që ky është një mesazh i mirë që në të ardhmen të kemi edhe më shumë përkrahje si në humbje dhe në fitore.”
“Shpresoj që viteve në vazhdim të ketë më shumë sponzor për futbollin e femrave në mënyrë që të ketë kushte më të mira, të ketë më shumë ekipe cilësore që të rritet konkurenca të jetë një kampionat i fortë si dhe të mos mungoj edhe përkrahja e mediave për futbollin femëror.”
Florentina Kolgeci për Sinjali Sportiv tregoi edhe synimet që dëshiron t’i arrijë gjatë vitit të ardhshëm.
“Synimet e mia për vitin që po vjen janë që të shpallem prap kampione dhe fituese e kupës, të marrë pjesë në Champions League dhe me kombëtaren të kem sa më shumë paraqitje qoftë në miqësore apo ndeshje kualifikuese, për fund desha të uroj që viti i ardhshëm të jetë më i mirë se ky vit, të kaloj ky virus, të ecim lirshëm në rrugë dhe për të gjithë sportistët sa më shumë suksese”, përfundoi Florentina Kolgeci.
Për Sinjali Sportiv foli edhe Blerta Shala, e cila pas paraqitjeve të saj të mrekullueshme edhe u zgjodh si futbollistja më e mirë e vitit 2020.
Shala e cila është futbollistja me më së shumti paraqitje për Kosovën, tha se viti që po lëm pas ishte i suksesshëm në aspektin personal e po ashtu për kombëtaren.
“Viti i kaluar ka qenë shumë i mirë si në aspektin personal ashtu edhe me kombëtaren, sepse me klubin tonë kemi arritur të shpallemi prap kampion në Kosovë, me kombëtaren kemi arritur t’i mbledhim gjithsej 10 pikë ku është një arritje shumë e mirë. Unë në kombëtare jam lojtarja që kam më së shumti lojë, jam njëra ndër futbollistet më me përvojë në kombëtaren e Kosovës”.
Kurse, Shala tha se ndeshja më e rëndësishme për të gjatë këtij viti ishte përballja me Kombëtaren e Holandës.
“Loja më e rëndësishme ka qenë ajo me ekip ku jemi shpallur kampion dhe ajo me kombëtaren thuajse më të mirë në botë, Holandën”.
“Sfidat më të mëdha gjatë këtij viti kanë qenë me St Polten, i cili ishte një ekip mjaft i mirë, po ashtu me kombëtaren ruse, turke dhe atë holandeze”.
Futbollistja më e mirë e Kosovës tregoi synimet e saja për vitin 2021.
“Synimet e mia për vitin që po vjen janë prap shpallja kampion si dhe fituese e Kupës së Kosovës po ashtu edhe me kombëtaren të kemi paraqitje të mira. Për fund dua të uroj që viti tjetër të jetë i mbarë dhe i sukseshëm për të gjithë sportistët.”, përfundoi Blerta Shala.