Kryeministri i vendit Albin Kurti ka thënë se në fillim të javës së ardhshme do të dalë me një përgjigje sa i përket ftesës së Përfaqësuesit të Lartë të Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian për një takim urgjent në Bruksel për menaxhimin e krizave.
Kështu deklaroi Kurti pasi nderimit që bëri te pllaka në Parkun e të Pagjeturve.
“Unë pata kërkuar që takimi të jetë në javën që po shkon në Bruksel me urgjencë dhe kam propozuar planin pesëpikësh, mirëpo tash kemi një kërkesë që takimi të jetë në javën e ardhshme. Një herë u tha data 22, pastaj data 23, pastaj data sërish 22. Do ta diskutoj me ekipin tim dhe me siguri që do t’i japim një përgjigje javën e ardhshme”.
Ai po ashtu foli edhe për shkresën që kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti ia ka dërguar Serbisë, për të kërkuar arkivat që do të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me force gjatë luftës.
“Nga Serbia nuk kemi asnjë përgjigje për letrën të cilën e ka dërguar Hoti për hapjen e arkivave atje që të merret vesh e vërteta”, ka thënë Kurti.