image FSSHK-ja kërkon nga Kurti t’i pranojë 11 mijë vaksinat e dhuruara nga Shqipëria

Shëndetësi

FSSHK-ja kërkon nga Kurti t’i pranojë 11 mijë vaksinat e dhuruara nga Shqipëria

news image

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që t’i pranojë edhe 11 mijë dozat e vaksinave të ofruara nga homologu i tij në Shqipëri, Edi Rama. Kjo me qëllimin që vaksinimi të bëhet sa më masiv.

Përmes një komunikate për media, FSSHK ka përshëndetur fillimin e vaksinimit kundër COVID-19 në Republikën e Kosovës të siguruar nga mekanizmi COVAX i OBSH-së përmes programit të UNICEF-it për Kosovë.

“Fillimisht më lejoni të falenderojë kryeministrin e Shqipërisë, z.Edi Rama, për vaksinimin e 500 punonjësve shëndetësorë, gjë e cila hapi një kapitull të rëndësishëm drejt luftës me pandeminë COVID-19. Duke qenë vigjilente në përcjelljen e situatës dhe kërkesës që vaksinimi të bëhet në mënyrë sa më masovike, FSSHK, kërkon nga kryeministri i Republikës së Kosovës, z.Albin Kurti, që të shfrytëzojë rastin të përdorë edhe 11,000 vaksina të ofruara nga kryeministri i Shqipërisë z.Rama për punonjësit shëndetësorë”, thuhet në kumtesë.

FSSHK tutje ka falënderuar 500 punonjësit shëndetësorë të cilët u vaksinuan në Kukës si qytetarë të parë të Kosovës, pasi thotë se thyen teoritë konspirative mbi vaksinën dhe sensibilizuan të tjerët që të vazhdojnë me vaksinim.

“Në fund urojmë dhe kërkojmë që Kosova të fillojë vaksinimin masiv të qytetarëve duke siguruar blerjen e vaksinave të licencuara në treg e mos të varemi vetëm nga donacionet”, thuhet në njoftim./Gazeta Sinjali/