image FSK pjesë e stërvitjeve ushtarake të NATO-s "Defender Europe 2021" - Sinjali

COVID-19

Të infektuar

106.914

Të shëruar

99.628

Të vdekur

2.225

FSK pjesë e stërvitjeve ushtarake të NATO-s “Defender Europe 2021”

news image

Sot, në portin e Durrësit ka filluar “Defender Europe 2021”, një stërvitje e përbashkët ushtarake e vendeve anëtare të NATO-s, që do të zhvillohet në disa shtete të Ballkanit, raporton Gazeta Sinjali.

Operacioni masiv nisi në Durrës, ku qindra mjete luftarake amerikane kanë mbërritur në port, një dislokim që ndodh për herë të parë që prej Luftës së Dytë Botërore, në Evropë.

Në këtë stërvitje do të marrë pjesë edhe Forca e Sigurisë së Kosovës.

Kështu ka bërë të ditur për Gazetën Sinjali, zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Flamur Arifaj.

“Po mund ta konfirmoj pjesëmarrjen e FSK-së në stërvitjet ushtarake ‘Defender Europe 2021’. FSK do të marrë pjesë me disa regjimente të saj dhe këto stërvitje do të zhvillohen në Kosovë nga data 17 deri më 29 maj. Për më shumë do të njoftoheni pas pak nga komunikata të cilën do ta lëshojmë në faqen e ministrit të Mbrojtjes dhe Ministrisë së Mbrojtje”, deklaroi ai.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Shqipëri, Yuri Kim, në fjalimin e saj solli në vëmendje se Shqipëria është vendi që ka pritur më shumë aktivitete të tilla në rajon e që sipas saj kjo nuk është rastësore.

Në 30 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike të Shqipërisë dhe SHBA-së, Kim e mbylli fjalimin e saj me një përgëzim për Shqipërinë dhe guximin për të marrë përgjegjësi.

Stërvitjen e “Defender Europe 2021” në Durrës e quan historike edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Rama u zotua se do të vazhdojnë të qëndrojnë besnik krah për krah me aleatët.

Ndërsa, gjenerali Tod Wolters, komandant i komandës së SHBA-së në Evropë dhe komandant suprem i aleancës për Evropën tha se me Shqipërinë në NATO ndihen më të sigurt.

Mbi 1000 trupa shqiptare do të marrin pjesë në stërvitje, së bashku me forcat e armatosura të 16 shteteve të tjera, aleate të NATO-s. Në total, do të marrin pjesë 28 mijë trupa. Në Shqipëri, stërvitja do të zhvillohet në disa baza, si ajo e Bizës, Kuçovës, në Zall-Herr, etj.

I udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, mes 28 mijë trupave nga 26 kombe, “Defender 21” ka si synim ndërtimin e gatishmërisë operacionale të të gjitha vendeve aleate të NATO-s./Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin