Qeveria e Republikës së Kosovës, në bazë të ftesës së SHBA-së, ka miratuar vendimin për bashkë-dërgimin e kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në misione jashtë vendit me Gardën Kombëtare të Iowa.
Ky vendim do t’i procedohet Kuvendit të Republikës së Kosovës me propozimin për dërgimin e kontingjentit të FSK-së në misione për mbështetje të stabilitetit rajonal dhe operacioneve paqeruajtëse, nën Komandën Qendrore Amerikane.
“Vendimi mbështetet në memorandumin që Qeveria e Republikës së Kosovës e ka nënshkruar me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në misione jashtë vendit bashkë me Gardën Kombëtare të Iowa-së”, thuhet në njoftimin e bërë nga zyra e kryeministrit.