Forca e Sigurisë së Kosovës ka njoftuar se po vazhdon të jetë e angazhuar me personel dhe pajisje në shuarjen e zjarreve që kanë përfshirë zonën e fshatit Shtupeq dhe komunën e Suharekës si pasojë e temperaturave të larta që po mbizotërojnë në vendin tonë.
“Togu i Gatishmërisë në Operacion përmes Qendrës Operative te Shtabit të Përgjithshëm të FSK-së ka pasur një koordinim dhe bashkëpunim të mirë edhe me ekipet e KFOR-it Amerikan, të cilët gjatë këtyre ditëve kryen një serë intervenimesh nga ajri, duke e lehtësuar lokalizimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit”, thuhet në njoftimin e tyre.
FSK-ja ka theksuar se është e gatshme që të mbështesë autoritetet civile me qëllim që të minimizohet rreziku dhe lehtësimi i pasojave të shkaktuara nga situata me zjarret. /Gazeta Sinjali/