image Forcat ruse marrin në kontroll edhe një qytet tjetër të Ukrainës

Botë

Forcat ruse marrin në kontroll edhe një qytet tjetër të Ukrainës

news image

Oleksandr Svidlo, kryebashkiaku në detyrë i qytetit të Berdyansk në bregun jugor të Ukrainës, ka thënë se forcat ruse kanë hyrë dhe kanë marrë kontrollin e qytetit.

Berdyansk, i cili ka një bazë të vogël detare, ka një popullsi prej rreth 100,000 banorësh.

Svidlo postoi një mesazh për banorët e qytetit në faqen e tij në Facebook të dielën, ku thoshte: “Pak orë më parë, ju dhe unë pamë se si pajisje të rënda ushtarake dhe ushtarë të armatosur hynë në qytet dhe filluan të përparojnë në të gjithë qytetin tonë. Sapo mësova për këtë , u përpoqa të informoj të gjithë banorët e qytetit që të keni mundësi të fshiheni në strehimore”.

Svidlo vazhdoi: “Disa kohë më parë, ushtarë të armatosur hynë në ndërtesën e komitetit ekzekutiv dhe u prezantuan si ushtarë të ushtrisë ruse, ata na njoftuan se të gjitha ndërtesat administrative ishin nën kontrollin e tyre dhe se po merrnin nën kontroll ndërtesën e komitetit ekzekutiv”.

Svidlo tha se zyrtarëve iu kërkua të vazhdonin punën, “por nën kontrollin e njerëzve të armatosur. Unë e konsideroj këtë propozim të papranueshëm, kështu që ne, si të gjithë anëtarët e shtabit operativ, u larguam nga ndërtesa e komitetit ekzekutiv”.

Svidlo përfundoi postimin e tij, duke thënë: “Sot Berdyansk ishte në vijën e zjarrit. Nuk e di se si do të jetë nesër, por mendoj se sonte do të jetë shumë, shumë e vështirë.”

/GazetaSinjali/