Presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq, sot ka mbajtur një konferencë për media ku ka folur për fluturaken që u rrëzua në Zagreb dhe shkaktoi shpërthim të fuqishëm.
Këtë rast ai e ka cilësuar si serioz dhe ka thënë se janë duke e trajtuar. Megjithatë Millanoviq u ka bërë thirrje qytetarëve që të jenë të qetë, sepse një veprim i tillë, sipas tij, nuk kishte cak Kroacinë.
“E ndjej obligim t’i drejtohem opinionit. E dimë çfarë objekti është dhe nga ka ardhur. Ajo ka fluturuar mbi Hungari për 40 minuta dhe shtatë minuta tjera i ka kaluar mbi territorin e Kroacisë. Është një incident serioz dhe ashtu po e trajtojmë”, tha Millanoviq.
“I bëjë thirrje qytetarëve të jenë të qetë. Vlerësojmë se ky akt nuk ishte drejtuar kundër Kroacisë. Ky është një incident dhe duhet t’i shqyrtojmë çështjet procedurale. Kjo fluturake ka madhësinë e një aeroplani që peshon mbi 6 tonelata që u rrëzua në Zagreb”, shtoi presidenti kroat.
Ai po ashtu ka shtuar se radarët e kanë detektuar fluturaken, por që nuk kanë mundur të bëjnë asgjë pasi koha ishte shumë e shkurtër.
“Kam biseduar sot me kryeministrin. Po zhvillohen hetimet, ku janë të përfshira edhe shërbimet e inteligjencës, e deri më tani kemi mësuar se fluturakja ka ardhur nga Ukraina dhe është rrëzuar në Kroaci pasi ka mbetur pa karburant”, ka thënë ndër tjera Millanoviq.