image Flet pas shkarkimit ish-kryeshefi ekzekutiv i Ujësjellësit të Prizrenit

Kosovë

Flet pas shkarkimit ish-kryeshefi ekzekutiv i Ujësjellësit të Prizrenit

news image

Vendimi për shkarkimin e kryeshefit ekzekutiv të ndërmarrjes së KRU “Hidroregjioni jugor”, Besim Baraliu, po cilësohet si i padrejtë, politik dhe pa asnjë arsyetim nga vet Baraliu.

Kryeshefi i shkarkuar më 27 prill nga Bordi i përkohshëm i kësaj ndërmarrje, Besim Baraliu ka proceduar ankesë në Gjykatën Themelore të Prishtinës dhe në Inspektoratin e Punës ndaj këtij bordi për të kërkuar drejtësi, pasi sipas tij ka qenë vendim i kundërligjshëm dhe arbitrar.

Baraliu edhe pse nuk i di arsyet pse është marrë ai vendim, thotë se gjatë periudhës sa e ka menaxhuar këtë ndërmarrje ka arritur t’i rrisë investimet në vlerë mbi 42 milionë euro dhe të hyrat nga 2.8 milionë në 5.5 milionë euro.

Ai thotë se vendimi ndaj tij për shkarkim është bërë në mënyrë të padrejtë, pa asnjë analizë dhe pa kurrfarë arsyetimi. Ndërsa, shton se deklaratat e ministres së Ekonomisë, Rozeta Hajdari janë të pabazuara, kinse nuk ka pasur performancë të mirë.

Ndërsa, nga ana financiare Baraliu thotë se për t’iu përgjigjur deklaratës se ministres Hajdari, e cila ka thënë se për çdo vit ka pasur rënie, ose performancë më e dobët nga viti 2010 deri në vitin 2020, trendi i rritjes së të hyrave nga KRU “Hidroregjioni jugor”, nga viti 2010 deri 2020 është në rritje sepse faktet e tregojnë të kundërtën.

 “Pres që gjyqi ta kthejë pozitive pasi që faktet janë në anën time dhe nuk kam asnjë dyshim që ata nuk do të vendosin ashtu siç është. Por, edhe në qoftë se ndryshe do të jetë, e vërteta është kjo që po e them sot. Të hyrat më 2010 kanë qenë 2 milionë e 806 mijë euro, në 2011 – 3 milionë e 293 mijë euro, pra çdo herë rritje ka pasur. Në 2012 – 3 milionë e 760 mijë euro, në 2013 – 4 milionë e 291 mijë euro, në 2014 – 3 milionë e 958 mijë, ku pak nga 2013 kemi pasur rënie. 2015 rritje prapë, 4 milionë e 92 mijë euro, 2016 – 4 milionë e 794 mijë euro, 2017 – 5 milionë e 425 mijë euro, 2018 – 5 milionë e 243 mijë euro dhe 2019 – 5 milionë e 508 mijë euro… Koeficienti i rritjes 96.29 përqind. Kjo është e vërteta e nxjerrë prej dokumenteve që kemi edhe prej auditorit të aprovuara edhe prej Zyrës Rregullative”, thotë Baraliu.

Baraliut të cilit iu ndërpre kontrata e punës porsa ishte kthyer nga Gjermania ku ishte për një kontroll mjekësor, thotë se deklaratat e ministres Rozeta Hajdari, për punën e kësaj ndërmarrje kanë qenë të pavërteta. Ndërsa, po vlerëson se fal angazhimit të tij, ka arritur t’i sigurojë Prizrenit ujë të pijes 24 orë në ditë me një cilësi të lartë.

Kujtojmë se në ujësjellësin “Hidroregjioni Jugor” qeveria në detyrë kishte emëruar katër anëtarë në bordin e përkohshëm, Altin Sahiti, Arieta Vula- Pozhegu, Edmond Halimi dhe Ylber Elshani, derisa ky bord menjëherë kishte shkarkuar ose shkëputur kontratën kryeshefit Besim Baraliu dhe emëruan si u.d të kryshefit Zenel Zenelin./Gazeta Sinjali/