Jetmir Hyseni nga Bibaj e Ferizajt është pacienti i shëruar nga koronavirusi nga kjo komunë, shkruan Gazeta Sinjali.
Ai ka rezultuar negativ në dy testet e bëra për koronavirus, 23 ditë pas shtrirjes në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Sot, kur u shërua plotësisht nga ky virus, këngëtari nga Ferizaj i ka këshilluar të tjerët që të kenë kujdes, duke u treguar se çfarë dhimbje ka përjetuar nga ky virus.
“Dua t’ju bëj me dije se ky virus më ka shkaktuar mundime, temperaturë të lartë dhe ethe të papërshkrueshme, pneumoni që u konfirmua me anë të rentgenit dhe testit të gjakut. Mos i dëgjoni ata që thonë “Hajt se s’është kurgjo, grip hesapi”. Nuk po them të bëni panik, por mos e neglizhoni. Rrini n’shpi”, ka shkruar Hyseni në Facebook.
Ai ka thënë se pas kalimit të kësaj pandemie, do t’i viziton stafin mjekësor, të cilët i ka quajtur heronj.
“Pas shuarjes së kësaj epidemie, pas kthimit në normalitet, do t’i vizitoj të gjithë këta heronj, do ua puth duart me përulësi e respekt dhe t’u them se u jam borxhli përjetë! Këta janë miqtë e mi të përjetshëm. Ju nuk e keni idenë se sa të kujdesshëm janë! Mos flisni keq për ata sepse bëni shumë mëkat! Respektoni dhe duani ata! Me zemër dhe përulësisht u them Faleminderit dhe Zoti ju shpërbelftë”, ka thënë ai.
Këngëtari ferizajas ka thënë se do të kthehet në shtëpi dhe të të izolohet si të gjithë, derisa qeveria të marr vendim për lëvizje të lirë.
“Unë shpresoj shumë që së bashku të festojmë kur të vijnë ditë më të mira. Deri atëherë do t’u këndoj njerëzve të shtëpisë dhe juve miq në rrjetet sociale. Distancimi mbetet vetëm fizik, por jo edhe social”, ka përfunduar ai./Gazeta Sinjali/