image Largimi i romëve nga lokali në Gjakovë, flet dëshmitari i ngjarjes

Sociale

Largimi i romëve nga lokali në Gjakovë, flet dëshmitari i ngjarjes

news image

Disa qytetarë të komunitetit rom, kanë ngritur akuza në drejtim të një lokali në Gjakovë, për diskriminim në baza racore, duke thënë se janë larguar nga lokali pa u shërbyer për faktin e vetëm se i takojnë komunitetit RAE.

Në lidhje me këtë lajm, ka reaguar edhe ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, i cili ka thënë se ky veprim është i turpshëm dhe se lokalet të cilat bëjnë diferencime të tilla duhet t’i bojkotojmë të gjithë, sepse personat me ngarkesa raciste nuk duhet t’i mbështesim.

E për këtë ka folur edhe një qytetar i komunitetit RAE, i cili thotë se ishte dëshmitar kur ndodhi ngjarja.

Isha vet aty ku i përzuri kamarieri. Unë tentova të flas por kamarieri më tha se e kam urdhër prej shefit. Këta djemtë në fjalë e thirrën Policinë në lidhje me këtë rast, por ata iu thanë se nuk kemi çka me ju bo”, ka shkruar Shpejtim Mamusha.

Në lidhje me këtë rast, Gazeta Insajderi ka kontaktuar edhe menaxherin e lokalit “Happy”, Flamur Ahmeti i cili ka mohuar pretendime të tilla, duke thënë se po bëhen për ta dëmtuar indirekt biznesin e tij.

Kjo është gënjeshtër, tek ne bëhen konferencat e komuniteti, pretendimi i tillë nuk është i vërtetë asnjë grimë. Në qoftë se kanë ndonjë dëshmi, inçizimi apo diçka, ne përgjigjemi për atë punë. Nuk ka shans pasi është vendi që kemi më së shumti klientë të komuniteti rom”, deklaroi ai.

/GazetaSinjali/