Gazeta Sinjali sot (e martë) publikoi detaje ekskluzive nga plagosja e mbrëmshme në “Çarshinë e Gjatë” në Pejë, ku i dyshuari Bashkim Racaj kishte shtënë në drejtim të Sezair Belegut, pas një diskutimi që ata kishin mes vete, e që dyshohet se ka të bëjë me atë se kujt do t’ia japin votën në zgjedhjet lokale në këtë komunë.
Në një prononcim për Gazetën Sinjali, avokati i të dyshuarit Bashkim Racaj, Asdren Mekaj, ka thënë se aktualisht nuk mund të jap shumë detaje për shkak se është akoma herët të flitet për rrethanat personale dhe motivet eventuale që kanë shpie deri te plagosja e të dëmtuarit.
“Ajo çfarë mund të konfirmoj është se deri më tani nuk janë prezantuar prova që konfirmojnë ndonjë ngatërresë apo konflikt të mëhershëm dhe po ashtu, nuk kam arritur të kuptoj as nga klienti ndonjë arsye për ngjarjen e djeshme. Unë si avokat i tij, kam dyshimet e mija lidhur me gjendjen mendore të tij, para dhe gjatë kohës kur dyshohet se është kryer vepra penale, mirëpo vlerësimin final duhet ta bëjnë ekspertët përkatës, sepse kjo i shërben drejtësisë. Unë do të ndërmarr të gjitha veprimet ligjore dhe do të parashtroj kërkesat relevante pranë gjykatës dhe prokurorisë, për t’u siguruar që klienti im do të ketë proces hetimor objektiv dhe të pandikuar”, ka thënë Mekaj për Sinjalin.
Burime të Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se e gjithë ngjarja dyshohet se filloi nga një bisedë që i dyshuari kishte me viktimën, te kioska e këtij të fundit në “çarshinë e gjatë” për votën e tyre në zgjedhjet lokale të së dielës.
“Voto Gazin” – “S’e ndërroj Ramushin”
Siç kanë njoftuar burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë, i dyshuari ka deklaruar se derisa po shkonte për në punë, ishte ndalur te kioska e viktimës, ku janë përshëndetur dhe kanë biseduar se kë duhet votuar për kryetar të Pejës.
I dyshuari, Bashkim Racaj, sipas burimeve të Sinjalit, ka thënë se viktima Sezair Belegu i ka kërkuar ta votojë Gazmend Muhaxherin për kryetar të Pejës, por që ai nuk e pranon një gjë të tillë, pasi që sipas tij, ai nuk e “ndërron askënd përveç Ramush Haradinajt”.
Edhe pse biseda e tyre mbaroi në ato momente, ngjarja duket se vazhdoi pas pak kohe, kur i dyshuari Racaj u kthye sërish te kioska e Belegut.
Sipas të njëjtave burime brenda Prokurorisë, Racaj ka thënë se e ka “përjetuar rëndë” kërkesën për ta votuar Gazmend Muhaxherin dhe nuk ka duruar, duke i shkuar më pas Belegut te kioska, ku ka shtënë në drejtim të tij.
Çka bisedoi Racaj me Belegun, para se të gjuante në drejtim të tij?
Bashkim Racaj dyshohet se pasi është takuar me Belegun ka shkuar të puna e tij, ku e kishte marrë revolen, për të cilën ka deklaruar se askush nuk e dinte që e posedonte dhe ishte nisur për te viktima.
Posa kishte arritur në vendin e ngjarjes, Racaj ka deklaruar se fillimisht ka shtënë një herë me armë dhe më pas e ka gjuajtur Belegun dy herë në shpinë.
Burimet e Sinjalit po ashtu njoftuan se i dyshuari në fillim ka thënë se arma ishte e pronarit të qebaptores ku punonte, por më pas ka deklaruar se kjo nuk është e vërtetë, pasi sipas tij ai posedonte armë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. /GazetaSinjali/