image Flet avokati: 3-vjeçari është dhunuar në çerdhe edhe më rëndë se që shihet në pamjet e publikuara

Drejtësi

Flet avokati: 3-vjeçari është dhunuar në çerdhe edhe më rëndë se që shihet në pamjet e publikuara

news image

Një rast tronditës është zbuluar në institucionin parashkollor ‘Gëzimi ynë’ në Fushë Kosovë, ku një fëmijë 3-vjeçar dyshohet se u dhunua fizikisht nga dy edukatore. Këto të fundit janë shoqëruar dhe janë intervistuar nga organet e hetuesisë lidhur me rastin, me ç’rast edhe iu është shqiptuar masa e ndalimit policor, raporton Gazeta Sinjali.

Avokati i familjes së fëmijës 3-vjeçar, Rrahim Ajeti ka folur për rastin në detaje, i cili tha se ngjarja ka ndodhur gjatë ditës së premte, ndërsa fëmija me të dalë nga çerdhja i kishte treguar nënës së tij se është rrahur nga edukatoret, por që, siç shprehet avokati, ajo në fillim nuk i kishte besuar.

Dhunën ndaj tij, ajo e kishte vërtetuar vetëm pasi kishin shkuar në shtëpi. Gjatë momentit kur nëna e 3-vjeçarit e kishte zhveshur atë për t’ia ndërruar rrobat, kishte parë shenjat e dhunës mbi trupin e tij.

“Rasti ka ndodhur të premten, kur fëmiu ia dorëzojnë nënës, fëmiu ankohet se është rrahur nga mësueset por nëna nuk i beson derisa kur shkon në shtëpi e sheh që ka shenja të dhunës në trupin e fëmiut. Meqenëse ishte e premte, pas vikendit, nëna ka shkuar në kopsht për të marrë informacion mbi atë se çfarë ka ndodhur dhe kërkon t’i jepen incizimet e kamerave ku shihet se ka pasur dhunë ndaj fëmiut, shihet që është tërhequr zvarrë dhe shihet një goditje e edukatores ndaj fëmijës kur e fut në atë dhomën ku s’ka kamera. Drejtoresha ka qenë bashkëpunuese, ka thënë se nuk e dimë gjithçka çka ndodh, por nëse ka ndodhë ndonjë keqtrajtim do të merren masa përkatëse dhe pastaj i është mundësuar t’i shohë incizimet. Në sekondin e 18-19 shihet se si një edukatore ia hedh ushqimin në tavolinë një fëmiu, siç i hidhet një kafshe. Ky trajtim nuk duhet të lejohet, ajo video më shumë dukej si një kamp përqendrimi se sa si një institucion edukativ. Fëmiu duhet të ketë ambient jo frike, të dhunës, por të lirë, në video nuk shihet se është një ambient i tillë. Pasojat janë të dukshme. Fëmiu ka shfaqë simptoma, është frikësuar natën, ka refuzuar të shkojë në çerdhe, i ka thënë nënës mos ta çojë as vajzën se e rrahin”, tha ai.

Ajeti po ashtu shtoi se beson që ky fëmijë është rrahur edhe më rëndë se që shihet në pamjet e publikuara.

Ndërsa, Policia e Kosovës njoftoi se pas përfundimit të fazës preliminare të veprimeve hetimore për rastin në fjalë, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarave t’u caktohet masa e ndalimit policor.

“Pas përfundimit të fazës preliminare të veprimeve hetimore, me rekomandimin e prokurorit të shtetit, policia inicioi një hetim në drejtim të veprës penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, dhe me aktvendim mbi ndalimin e personit të dyshuar të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit ndaj të dyshuarave;  N. M, femër, 64 vjeç, shtetase e Republikës së Kosovës, si dhe  N. H, femër, 56 vjeç, shtetase  Republikës së Kosovës, u shqiptua masa e ndalimit prej 48 orësh”, thuhet në njoftim.

/GazetaSinjali/