Në 22 vjetorin e “Epopesë së UÇK-së”, kryeministri Albin Kurti dhe kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, kanë bërë homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari”, në Prekaz. Aty të dy krerët institucional, thanë se familja Jashari e ka vulosur shtetësinë e Kosovës.
I pari i qeverisë së Kosovës Albin Kurti, tha se familja Jashari e ka vulosur Prekazin si kryeqytet të kryengritjes shqiptare.
“Për të bërë homazhe të varret e Jasharajve, të kësaj familje që e ka vulosur Prekazin si kryeqytet të kryengritjes shqiptare. Ne e kemi obligim e borxh të përhershëm e të përjetshëm ndaj Jasharajve dhe këtë do të mund ta shlyejmë vetëm me punë të përditshme për shtetndërtim, për zhvillim dhe për drejtësi”, ka thënë Kurti.
Ndërkaq, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, tha se çdo ditë duhet të përkujtohet sakrifica e familjes Jashari që i ka vendosur themelet e shtetit të Kosovës.
“Jo vetëm në këto data, por në çdo ditë dhe në çdo moment ta përkujtojmë këtë sakrificë e cila i ka vënë themelet dhe ato themele jashtëzakonisht të forta të shtetit tonë. Në të njëjtën kohë ka ndërkombëtarizuar çështjen e Kosovës duke e bërë të ditur para syve të botës demokratike se populli shqiptar ishte një popull i shtypur nga ana e regjimit totalitar serb”, është shprehur Osmani./ Gazeta Sinjali/