image Ekskluzive/ I riu që u keqtrajtua nga Haris Kelmendi rrëfen dhunën për Sinjalin: Pasi më rrahën thanë qe një cigare prej neve

Ekskluzive

Ekskluzive/ I riu që u keqtrajtua nga Haris Kelmendi rrëfen dhunën për Sinjalin: Pasi më rrahën thanë qe një cigare prej neve

news image

Gazeta Sinjali dje publikoi pamje skandaloze të keqtrajtimit të një 18 vjeçari në vitin 2018 nga Haris Kelmendi, pjesëtar i Njësisë së Reagimit të Shpejtë në stacionin policor “Qendra” në Prishtinë, i cili pas arrestimit më 28 janar të këtij viti, u lirua nga Prokuroria.

Viktima e këtij rasti L.R. ka rrëfyer për Sinjalin gjithë ngjarjen që ka ndodhur në vitin 2018, ku u keqtrajtua nga ky zyrtar policor.

“Në vitin 2018 isha “shoqëruar” në stacionin policor për të dhënë deklaratë për shkeljen time që kisha bërë asokohe (vozitje pa leje, mbajtja e një arme të ftohtë, dmth thikë). Si një 18 vjeçar edhe pse i ri në moshë, kurrë asnjëherë në jetën time nuk kisha parë askund e nuk kisha dëgjuar për atë lloj maltretimi nga ana e policisë ndaj qytetareve… aq më shumë të mendoja se një ditë do të  isha unë viktima. Po pra, viktima që shihet duke u dhunuar fizikisht dhe psiqikisht nga “polici” Haris Kelmendi… jam unë, Leotrimi”, ka thënë ai për Sinjalin.

I riu, tashmë 21 vjeçar thotë se asnjëherë nuk e kishte menduar se do të trajtohet në atë mënyrë jonjerëzore pikërisht nga ata që do të duhej të ishte i siguruar.

“E di se unë kam gabuar për shkeljet në trafik që kam bërë, të cilat po të kthehesha në kohë nuk do t’i bëja kurrsesi. Nuk e kam menduar kurrë se një ditë do të trajtohesha në atë mënyrë jo njerëzore nga ata të cilët do t’i thërrisja në çast për ndihmë nëse do të kisha parë dhunë të llojit të tillë!”, ka shtuar ai.

L.R. ka thënë se pamjet që i publikoi Sinjali ishin fundi i rrahjes gati 2-orëshe nga zyrtarët policorë.

“Atë natë isha në makinë me shokun tim të cilin për arsyet e tij personale nuk po e bëj të ditur emrin. Para se të më ndalte mua patrulla e policisë, ai iku së bashku me thikën! Pra, siç shihet në ketë video 10-15 sekondëshe keqtrajtimi, maltretimi, dhuna psiqike dhe fizike këtu ka qenë fundi i rrahjes sime 2 orëshe nga të gjithë policët e ndërrimit të asaj nate… ku në fund pas gjithë asaj sjellje, koleget e Harisit m’u drejtuan “qe një cigare prej neve”. Unë gjithashtu kërkova ta thërras  edhe ndihmën e shpejt, pasi që isha i rrahur aq keq e i dhunuar e ceku fizikisht dhe psiqikisht… ata mu drejtuan “hajt se ski nevojë se mirë je”. Pas gjithë dhunës që m’u shkaktua atë nate, kisha presion nga policia që ta ndërroja deklaratën time se gjoja un kam pasur armë tjeter (revole) në makinë dhe shoku im më ka kërcënuar për t’u larguar nga policia, kjo ishte vetëm një propagandë e Harisit dhe kolegëve të tij”, rrëfen ai tutje.

I riu thotë se gjatë keqtrajtimit të tij nga zyrtari policor Haris Kelmendi, ishin të pranishëm edhe 4 ose 5 zyrtarë të tjerë duke filmuar.

“Në atë incizim ku shihet “polici” Haris Kelmendi duke ushtruar dhunë mbi mua, aty ishin të pranishëm edhe 4-5 zyrtarë të tjerë policorë duke inçizuar!”

Në fund, ai shton se kjo ngjarje e ka tronditur shumë dhe se përkundër që Kelmendi u lirua, ai vazhdon të mbajë shpresë se drejtësia do të vihet në vend.

“Unë si 21 vjecar, edhe pse kanë kaluar thuajse 3 vjet nga kjo ngjarje, gjendja psiqike më është rënduar dhe trauma sa vjen e shtohet çdo ditë. Në bazë të këshillave të psikologut kam bërë çdo gjë që ta tejkaloj këtë traumë por ajo sa vjen dhe rëndohet çdo ditë. Une ende kam shpresë që organet kompetente të drejtësisë do të merren me këtë rast”, tha ai për Sinjalin.

L.R. e falenderoi po ashtu Gazetën Sinjali për publikimin e pamjeve dhe mbështetjen e dhënë në këtë rast.

“Gjithashtu në fund fare, falënderoj shumë Gazetën Sinjali që pa u menduar fare më dhanë mbështetjen që kërkoja… përderisa portalet e tjera vendosën të heshtin për këtë ngjarje”, përfundoi rrëfimin ai.

Video-incizimi i keqtrajtimit ishte shpërndarë nga vetë Haris Kelmendi te dhjetëra zyrtarë policorë, në mesin e tyre një rreshter dhe një toger, mirëpo asnjëri nga këta, asnjëherë, nuk kishte reaguar e as denoncuar krimin e kolegëve të tij.

Veprimet e Haris Kelmendit jo vetëm që nuk u parandaluan, por viktima u shndërrua në objekt talljeje dhe argëtimi edhe për zyrtarët tjerë policorë që e filmuan goditjen.

/GazetaSinjali/