image Flasin ekspertët: Virusi nuk pyet për të nxehtin

Shëndetësi

Shëndetësi/ Flasin ekspertët: Virusi nuk pyet për të nxehtin

news image

Për OBSH-në mbetet ende e paprovuar teoria se koronavirusi i ri mund të ulë fuqinë infektive tani që rriten temperaturat dhe afron vera. Sipas ekspertëve, mund të jetë sërish i lartë rreziku i infektimit nëse do të ketë prezencë të madhe njerëzish.

Shkencëtarët nuk janë të sigurt për rolin që luan klima në përhapjen koronavirusit të ri.

Ndërsa mendohej fillimisht se vendet më pak të populluara dhe moti i nxehtë mund ta zbutin pandeminë në stinën e verës, tani infeksionistët thonë se sëmundja nuk është studiuar plotësisht.

“Këto viruse, nuk e kanë shumë mendjen te periudha e vitit. Atyre u intereson prezenca e sa më shumë njerëzve pranë, që të kalojnë nga njëri te tjetri. Edhe pse temperatura e kufizon disi aftësinë e tyre të transmetimit, nëse ke grupe njerëzish, nuk ka rëndësi a është jashtë nxehtë apo ftohtë, infeksioni nuk kontrollohet,” deklaron Dejvid Relmand, mikrobiolog në Universitetin e Stenfordit.

Eksperti amerikan i sëmundjeve infektive shprehet se viruset që infektojnë popullsi të tëra historikisht në vitet e para të tyre nisin si viroza gripale, ndaj nuk përjashtohet që koronavirusi i ri të kthehet në të ardhmen në një sëmundje sezonale.

Teza që temperaturat ndikojnë te pandemia mbetet e paprovuar edhe nga OBSH-ja, ndërsa në SHBA, ku viktimat e koronavirusit kanë kaluar shifrën 20 mijë, presidenti amerikan Donald Trump do të shprehej në fillim se me ardhjen e prillit do të kalohej situata.

“Nëse do të vepronim sipas hamendësimeve do të gabonim, domethënë do të humbisnim gjithë përfitimet e distancimit social dhe masave që kemi marrë deri tani, prej shpresës së rreme te stina e verës,” shton profesori amerikan.

Ndërkohë sindromi i rëndë akut i frymëmarrjes i njohur si SARS, në vitet 2002-2003 e zbuti agresivitetin e vet në muajt e verës, edhe pse mbetet e paqartë nëse kjo erdhi për shkak të motit apo prej ashpërsimit të masave./ Gazeta Sinjali/