Kryetari i Odës së Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës, Hysen Sogojeva, ka dhënë disa detaje të reja në lidhje me manualin e organizimit të dasmave.
Sipas këtij manuali, parashikohet që brenda sallave të dasmave nuk mund të qëndrojnë më shumë se 200 dasmorë.
Sogojeva ka thënë se kanë pasur takime të vazhdueshme me qeverinë, me ç’rast grupet punuese kanë bërë përafrimin e manualeve të propozuara nga Qeveria dhe ODA e Hotelierisë dhe Turizmit.
“Rreth 95% e kërkesave tona janë përfshirë në manualin e qeverisë”, tha ai në TV Dukagjini, shkruan Gazeta Sinjali.
Sogojeva thotë se rreth 30% e kapaciteteve të brendshme hoteliere do të mund të shfrytëzohen për organizimin e dasmave.
“Orari nuk do të ndryshojë. Dasmat do të mund të mbahen deri në ora 23:00, mirëpo me kalimin e kohës, besojmë në fillim të korrikut orari mund të shtyhet deri nga ora 01:00”, deklaroi Sogojeva.
Ai thotë se tashmë gjithçka është finalizuar dhe vetëm pritet nënshkrimi i manualit.
“Në bazë të informative që kam, nesër do të mblidhet qeveria dhe do të votohet ky manual”, tha ndër të tjera Hysen Sogojeva./Gazeta Sinjali/