Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka nisur seanca fillestare ndaj të akuzuarve në rastin e vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviq, që kishte ndodhur më 16 janar të vitit 2018.
Kjo seancë ishte paraparë të mbahej edhe para një muaji, por që ajo nuk ndodhi për shkak të ndryshimit të aktakuzës.
Gjyqtari i rastit, Valon Kurtishaj tha se pasi që mediat nuk kanë bërë kërkesë zyrtare për përcjelljen e kësaj seance, andaj janë lejuar të marrim pamje vetëm derisa të bëhet leximi i aktakuzës, ndërsa gazetarët janë lejuar të qëndrojnë në seancë, por pa incizuar.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë më 2 dhjetor ndaj gjashtë personave të nacionalitetit serb, Marko Rashiq, Nedelko Spasojeviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq, Silvana Arsoviq dhe Radeta Basara, të cilët ngarkohen për veprat penale, pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal, keqpërdorim i pozitës zyrtare, ndihmë në kryerjen e veprës penale ‘vrasje e rëndë’, posedim i paautorizuar i armës, zbulim i sekretit zyrtar dhe keqpërdorim i detyrës zyrtare duke manipuluar me provat./Gazeta Sinjali/