Kantautorja e njohur kosovare Filloreta Raçi- Fifi, është revoltuar për falënderimet ndaj Serbisë, që shqiptarët u kanë bërë pasi që në ekipet e kërkim-shpëtimit ndihmuan edhe forcat serbe.
Fifi përmes një shkrimi të publikuar në rrjetin social Instagram, ka thënë se nuk mund të falenderohen serbët, pasi nuk kanë kaluar as dy dekada nga lufta me Kosovën, transmeton Gazeta Sinjali.
“Jam duke lexuar shumë komente ‘faleminderit kosovarëve’ dhe mua shumë shpesh më ka rënë të dëgjoj edhe më parë ‘kosovarja’. Ndërkohë unë jam shqiptare e Kosovës. Nuk mundesh të më rendisësh mua bijën e Shqipërisë në një rresht të plotë me falenderime e në të të jetë edhe ‘faleminderit Serbi’ kur akoma s’ka kaluar dekada e dytë prej tmerrit që kanë bërë në Kosovën e Shqipërisë. Jo fjalia e parë të jetë ‘faleminderit italianëve’, e dyta kosovarëve dhe të pasosh menjëherë me ‘faleminderit Serbi’… nuk bën kështu. Nuk e di dhe nuk më intereson se ça ndihme kanë dhënë çetnikat ama unë të kaluarën time se kam harruar akoma… kam shumë për të thënë po nuk po e zgjas”, ka shkruar Fifi.
Kujtojmë se që prej 26 nëntorit kur ndodhi tërmeti i fuqishëm në Shqipëri që la 51 persona të vdekur, Fifi u ka qëndruar pranë personave të prekur nga ky tërmet./Gazeta Sinjali/