Ka përfunduar ndeshja e parë e javës së 10-të në Superligën e Kosovës në futboll, ndërmjet Vushtrrisë dhe Feronikelit.
Ndeshja e luajtur në stadiumin e Vushtrrisë ka përfunduar me fitoren e mysafirëve me rezultat minimal 0:1, me golin e shënuar në minutat shtesë të ndeshjes.
Gjatë pjesës së parë vendësit kanë protestuar për një penallti dhe mysafirët për një moment kur topi kishte kaluar vijën fatale, por në të dy rastet gjyqtari kishte heshtur.
Nikli arriti të siguronte fitoren në minutat shtesë të ndeshjes me anë të Besmir Bojkut i cili shënoi duke përfiuar nga një gabim i mbrojtjes vendase pas një harkimi nga goditja e këndit nga mbrojtësi i majtë, Yll Hoxha.
Me këtë fitore skuadra nga Drenasi ngjitet për një pozitë më lartë me gjithsej 19 pikë ndërsa Vushtrria mbetet e fundit me vetëm 6 pikë të grumbulluara pas 10 ndeshjeve të zhvilluara./Gazeta Sinjali/