image Fernandes për disfatën ndaj Brighton: Është diçka që duhet ta shikojmë dhe të turpërohemi

Futboll

Fernandes për disfatën ndaj Brighton: Është diçka që duhet ta shikojmë dhe të turpërohemi

news image

Manchester United u turpërua në Amex Stadium duke u mposhtur me rezultat të thellë 4-0 ndaj Brightonit, duke humbur përfundimisht gjasat për një vend në top katërshe.

Rezultati do të thotë gjithashtu se Djajtë e Kuq do të regjistrojnë sezonin e tyre më të keq në Premier League në pikë dhe gola të pësuar në 2021-2022.

“Rezultati është ai që është. Nuk është mjaftueshëm i mirë,” pranoi Bruno Fernandes për Sky Sports pas fishkëllimës së fundit.

“Ata na mposhtën. Ata gjithmonë kishin një zgjidhje. Ata na bënë presing më mirë dhe e merituan rezultatin.

“Pak nga gjithçka [shkoi keq]. Cilësia. Mentaliteti. Ata merituan të fitonin dhe ne meritojmë të jemi në pozicionin ku jemi tani.

“Është diçka që duhet ta shikojmë dhe të turpërohemi sepse kjo nuk ishte mjaft e mirë nga ne dhe duhet të bëjmë shumë më mirë.

Kur u pyet për thirrjet e tifozëve ai tha: “Unë e përfshij veten në këtë. Ajo që bëmë sot, ajo që bëra unë sot, nuk ishte e mjaftueshme për të qenë në fanellën e Man Utd dhe e pranoj”.

Fernandes nënshkroi një kontratë të re për të zgjatur qëndrimin e tij në Old Trafford deri në vitin 2026, por ai e pranon se gjërat duhet të ndryshojnë në klub pas një kampanje dërrmuese.

“Nuk dua të flas për të ardhmen, kemi edhe një ndeshje këtë sezon dhe duhet të fitojmë”, shtoi ai.

“Kam biseduar me klubin për të ardhmen shumë herë përpara se të nënshkruaj kontratën time, sepse mendoj se e ardhmja mund të jetë e mirë, por padyshim që shumë gjëra duhet të rregullohen, siç kemi parë këtë sezon”, u shpreh Fernandes.

/GazetaSinjaliSport/