image Fermeri nga Rahoveci pëson 30 mijë euro humbje nga pandemia

Biznes

Fermeri nga Rahoveci pëson 30 mijë euro humbje nga pandemia

news image

Janë më shumë se 30 mijë euro humbje që ka pësuar familja Duraku gjatë kohës së pandemisë. Tash e më shumë se 50 vjet, kjo familje kultivon kultura të ndryshme bujqësore. E për këto pesë dekada kryefamiljari Duraku nga Krusha e Madhe e Rahovecit asnjëherë nuk ka pasur vështirësi më të madhe për të mbijetuar si fermerë.

55- vjeçari, Imer Duraku së bashku me familjarë të tij kanë më shumë se 20 hektarë tokë që kanë punuar këtë pranverë.

Në kohën kur filluan që disa nga kultivimet të dalin në shitje, vendin dhe jo vetëm, e ka bllokuar situata pandemike.

Ai kultivon dredhëzat, specat, pjeprin, shalqirin, preshin e çka jo. Por këto të fundit do të detyrohet t’i lëvrojë sepse nuk ka as ku t’i shes.

Ai tregon për KP, se ndodhen në situatë jo të mirë dhe se vështirë do të mbijetojnë.

“Unë jam dëmtuar si fermerë me preshin, gjatë pandemisë e kam pasur për treg diku mbi 15 ton, kështu që është dashur krejt t’i lëvrojmë. Kemi pasur edhe disa të tjera që nuk kemi mujt me punua për shkak të pandemisë, sepse nuk kanë ardhur punëtorët me punu, totalisht është prishur”, tregon ai.

Duraku pothuajse i vetëm ka punuar këtë pranverë 20 hektarët me kultura të ndryshme bujqësore, ngase edhe ata punëtorë që ka, kanë qëndruar në shtëpi në pamundësi për t’i paguar.

Për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, Qeveria e Kosovës kishte ndaluar shitjen në tregje, për këtë Duraku thotë se ishin dëmtuar shumë si fermerë.

“Na ka dëmtuar shumë, bile bash për preshin na ka dëmtuar shumë. Unë nuk kam mujt askund me shit edhe është dëmtuar krejt…I kam lëvruar krejt atë parcelë, tash është djerrinë, asgjë nuk kemi fituar nga ajo kohë…Në kushte normale për shembull jo që kemi pasur fitim të madh, por thjesht kemi mbijetuar, kemi pasur një çmim me kosto mesatare 30 cent për kg. Thjesht jemi mbuluar me shpenzimet për pjesë tjera që punojmë me punëtorët”, thekson ai.

Reshjet dhe breshëri javë më parë kishin shkaktuar dëme të konsiderueshme në disa fshatra. Këtyre dëmtimeve nuk u ka shpëtuar Krusha e Madhe, ndonëse është edhe zona më e prekur e këtyre dëmeve që janë shkaktuar.

“Diku përafërsisht 30 mijë euro është dëmi që është bërë deri tash, nga bershëri dhe pandemia….Diku rreth 4 hektarë presh kam mbjellur, nuk kam fidanë për to. Dredhëz i kemi pasur, janë dëmtuar nuk ka prodhim. Specat që i kemi janë dëmtuar, duhet me u rimbjell edhe një herë. Edhe ato fidane nuk i kemi më, duhet me i ble”, thekson Duraku.

E, Veli Gashi i cili është shef i kabinetit të kryetarit të Rahovecit, thotë se Krusha e Madhe ka qenë më e dëmtuara. Derisa shton se vlera e dëmit në këtë komunë dhe fshatrat përreth nga breshëri është mbi 2 milionë.

“Nga ajo që e kanë sjellur raportin komisioni, vlera e dëmit është mbi 2 milionë euro euro, 2 milionë e 640 mijë euro. Ne menjëherë pas marrjes së raportit nga Drejtoria e Bujqësisë si komunë kemi dërguar kërkesë për mbështetjet e fermerëve në Qeverinë e Kosovës dhe Ministrisë së Bujqësisë. E kemi dërguar raportin, i kemi mbledh të gjitha të dhënat dhe presim një përgjigje pozitive”, thekson Gashi.

Sipas tij, Drejtoria e Bujqësisë bashkë me kryetarin Smajl Latifi janë angazhuar që t’iu lejohet fermerëve shitja në tregje, për çka thekson se këta të fundit janë dëmtuar shumë gjatë kësaj kohe.

“I kemi krijuar të gjitha mekanizmat që ata të jenë të kujdesshëm. E kemi bërë edhe distancën e fermerëve, e kemi bërë një numër solid të fermerëve sa ata mund të shesin, 20 fermerë në mënyrë që të ruhet ajo masa që të mos përhapet virusi. Ne i kemi përmbushur të gjitha kriteret që kanë qenë nga IKShP-ja, por Qeveria e Kosovës, ish-kryeministri, ish-ministri, Xhelal Sveçla e kanë ndaluar me njësinë speciale, dhe i është pamundësuar fermerëve të komunës tonë që të shesin fidanët e tyre”, shprehet Gashi.

Marrë parasysh këtë gjendje, Imer Duraku nga Krusha e Madhe, derisa flet për humbjet e mëdha që do t’i përjetojnë, thotë se nuk ka pasur mundësi që t’i paguajë punëtorët.

“Për Zotin është problem nuk e di si do të ja dalim deri në vjeshtë. Duke pasur parasysh që ende nuk është e qartë puna e pandemisë, gjithçka është zingjir. Ne nuk kemi ku e plasojmë mallin edhe në qoftë se e prodhojmë”, thekson ai.

Duraku ka bërë thirrje që të përkrahen nga Ministria e Bujqësisë, sepse sipas tij në të kundërtën gjithë këto toka do të mbesin djerrinë.

Ndërkaq, për të ndihmuar të dëmtuarit nga pandemia Covid-19, Qeveria e Kosovës kishte miratuar një pako emergjente fiskale në vlerë 170.6 milionë euro.

Në kuadër të kësaj pakoje, ishte paraparë rritja e buxhetit për grante dhe subvencione në Ministrinë e Bujqësisë për 5 milionë euro./Gazeta Sinjali/