image Ferizajasi i infektuar flet nga QKUK-ja: Merreni seriozisht koronavirusin, ju lutem bëni kujdes

Kosovë

Reagim/ Ferizajasi i infektuar flet nga QKUK-ja: Merreni seriozisht koronavirusin, ju lutem bëni kujdes

news image

Jetmir Hyseni nga Ferizaj, i konfirmuar dje si një nga të infektuarit e radhës me koronavirus në Kosovë, u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes të shtuar dhe ta marrin shumë seriozisht koronavirusin.

Nga Klinika Infektive në QKUK, ai ka shkruar në Facebook se përballja e tij me koronavirusin nuk është e lehtë, por se tani ndodhet në gjendje stabile shëndetësore, shkruan Gazeta Sinjali.

“Bëj apel tek të gjithë qytetarët që ta marrin me seriozitet Covid-19 që tashmë është shpallur pandemi dhe që e gjithë bota është duke u ballafaquar më këtë fatkeqësi.
Ballafaqimi me simptomat e virusit Covid-19 nuk ishte aspak një përvojë e mirë dhe e lehtë për mua, kështu që ju lutem për të mirën e vetes suaj, familjarëve dhe shoqërisë që ju rrethojnë të keni kujdes të shtuar gjatë kësaj kohe”, ka thënë ai.

Më tej, Jetmir Hyseni ka treguar se kur i është vështirësuar gjendja shëndetësore, pas së cilës i ka njoftuar mjekët. Gjithashtu ka treguar se pas kthimit nga Gjermania, i është nënshtruar procesit të karantimit duke qëndruar në Qendrën e Studentëve në Prishtinë.

“Pas kthimit tim nga Gjermania, ju nënshtrova procesit të karantinës si të gjithë bashkëudhëtarët e tjerë dhe fatkeqësisht rezultatet e testimit për Covid-19 më dolën pozitiv. Gjatë tërë këtij procesi kam qëndruar në konviktin e studentëve në Prishtinë”. “Gjatë mbrëmjes së 20 marsit, gjendja ime shëndetësore u përkeqësua dhe kërkova që të dergohem në repartin infektiv të QKUK-së.
Falenderoj stafin mjekësor per përkujdesjen e tyre deri më tash dhe dua të ju informoj që gjendja ime shëndetsore momentalisht është stabile”, ka thënë 32-vjeçari.

Banorëve të fshatit prej nga ku vjen, e i cili me vendim të Komunës së Ferizajt dje është futur në karantinë, Jetmiri ua ka sqaruar se nuk ka pasur asnjë kontakt fizik me ndonjë qytetar nga Ferizaj, duke u kërkuar falje për shqetësimin.

“Sqarim për bashkëvendasit e mi Bibaj-Ferizaj: Gjatë tërë këtij procesi kam qenë dhe ende jam i izoluar në repartin infektiv në Prishtinë dhe nuk kam pasur asnjë kontakt me ndonjë qytetar nga Ferizaji apo Bibaj. Ju kërkoj falje për çdo shqetësim që mund të kem shkaktuar si pasojë e këtyre rrethanave”.

Ai i ka falenderuar të gjithë ata që kanë pyetur për shëndetin e tij.

“Faleminderit shumë për mesazhet e pafundëme që më keni dërguar dhe për mbështetjen tuaj në këtë kohë të vështirë”, ka thënë ai.

Deri tani në Kosovë janë konfirmuar 31 persona të infektuar me koronavirus, ndërsa pak më parë është shënuar edhe viktima e parë nga ky virus, një plak 85-vjeçar nga Podujeva. /Gazeta Sinjali/