image Flet nga Klinika Infektive ferizajasi i infektuar me koronavirus, tregon për simptomat dhe trajtimin në QKUK

Kosovë

Pandemia/ Flet nga Klinika Infektive ferizajasi i infektuar me koronavirus, tregon për simptomat dhe trajtimin në QKUK

news image

Këngëtari nga Ferizaj, Jetmir Hyseni është 32-vjeçari që sot u konfirmua si një nga të infektuarit e radhës me koronavirus.

Në një prononcim për Gazetën Sinjali nga Klinika Infektive në QKUK, Jetmir Hyseni ka treguar simptomat që i ka ndjerë si dhe për cilësinë e trajtimit mjekësor që po i bëhet.

Ai ka thënë se është shtruar sot në QKUK, derisa shtin se gjendja e tij është stabile.

“Jam mirë. Për momentin jam në QKUK, në Klinikën Infektive. Më kanë sjellë këtu sot. Gjendja ime është stabile. Shumë stabile”, ka thënë ai.

“Trajtimi në QKUK është i mirë”, ka thënë 32-vjeçari, teksa ka treguar edhe për simptomat që i janë paraqitur pas vizitës që e kishte në Gjermani.

“Kur kam ardhë këtu i kam njoftu mjekët.  Kam pasë temperaturë, ethe, kokëdhembje. Këto qysh janë përshkru”, ka thënë Jetmiri.

Ai kishte shkuar në Gjermani para një jave për një takim.

“Më 12 mars kam shku në Gjermani. E kam pasë një takim për biznes” ka treguar 32-vjeçari, që është edhe pronar i një kompanie ndërtimore në Ferizaj.

Me të ardhur nga Gjermania, ai ishte vendosur në Qendrën e Studentëve në Prishtinë që po shërben si karantinë, ndërsa pas kthimit nuk ka pasur asnjë kontakt fizik me familjarët e tij.

Para disa orësh, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar se bashkë me Jetmirin, janë konfirmuar edhe tri raste tjera të reja me koronavirus në Kosovë, duke e çuar në 28 numrin e të infektuarve.

Pas këtij lajmi, fshati Bibaj, prej nga ku vjen Jetmir Hyseni është vendosur në karantinë nga Komuna e Ferizajt. /Gazeta Sinjali/