Ferizaj ka mposhtur Llapin me rezultat përfundimtar 4:2.
Mysafirët kaluan në epërsi qysh në minutën e dytë të ndeshjes, me golin e shënuar nga Mensur Livoreka.
Derisa vendasit po mundoheshin ta barazonin rezultatin, ishin djelmoshat e Bekim Isufit që arritën të shënonin edhe golin e dytë në ndeshje me anë të Mustafës.
Ndërkohë, pak minuta pa përfunduar pjesa e parë, Mentor Zhdrella shënoi nga pika e bardhë për të ngushtuar epërsinë.
Pjesa e dytë filloi me 15 minuta vonesë, pasi që skuadra mysafire nuk pranonte të vazhdonte ndeshjen për arsye se pas përfundimit të pjesës së parë, skuadra e Ferizajit pretendoi se ishin sulmuar rrugës për në zhveshtore.
Mirëpo, menjëherë pas fillimit të pjesës së dytë skuadra mysafire arriti të shënonte edhe golin e tretë me anë të Benjamin Asanit.
Ferizaji nuk u ndal me kaq, pasi që arriti të shënojë edhe golin e katërt me anë të Adenis Shalës.
Ndërsa, skuadra e Llapit arriti ta shënojë edhe golin e dytë, ku Behar Maliqi arriti ta shfrytëzoj gabimin amatoresk të gardianit të Ferizajit.
Kjo ishte fitorja e tretë në këtë sezon për Ferizajin në Superligën e Kosovës dhe humbja e dytë për skuadrën e Tahir Batatinës.