Ish-kandidati për kryetar të Komunës së Mitrovicës Jugore, Fehmi Ferati i ka reaguar kryetarit të kësaj komune, Agim Bahtiri pasi ky i fundit paralajmëroi se do ta padis, shkruan Gazeta Sinjali.
Përmes një postimi në Facebook, Ferati është shprehur se Bahtiri është kryetari i komunës më të varfër në Kosovë, me më së shumti raste sociale e që dikur premtonte 15 mijë vende pune.
Madje, ish-kandidati i VV-së thotë se Bahtiri me para të buxhetit komunal në kohë pandemie ka blerë 30 mijë prezervativë.
“Kryetari i komunës më të varfër të Kosovës me më së shumti raste sociale e që premtonte 15.000 vende pune e thoshte me mburrje se “Nuk do t’i lë nënat me qajtë për bukën e gojës” e që i ka ble me buxhet komunal në kohë pandemie 30 mijë kondoma, e që premtonte mrekullira në qytetin që është zbrazur më së shumti nga të rinjtë, paska paralajmëruar padi kundër meje! Të shohim cila padi po arrinë e para në procedurë”, ka shkruar Ferati.
Kryetari i Komunës së Mitrovicës Jugore, Agim Bahtiri sot ka paralajmëruar se do të ngrisë padi ndaj Fehmi Feratit, për shkak të, siç ka deklaruar ai, shpifjeve të vazhdueshme./Gazeta Sinjali/