Gjatë 24 orëve të fundit, në polici janë raportuar 10 raste të dhunës në familje, raporton Gazeta Sinjali.
Dy prej tyre janë raportuar në kryeqytet.
Rasti i parë ka ndodhur të hënën pas mesnatës. Aty dyshohet se një burrë e ka rrahur gruan me të cilën bashkëjetonte. Për shkak të goditjeve që ka marrë, ajo ka pranuar tretman mjekësor.
Ndërkaq, rreth orës 09:00, u raportua edhe rasti i dytë i dhunës në familje, në Prishtinë. Kësaj radhe, një shtetas i Turqisë dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij.
Rasti i dytë ka ndodhur gjatë orës 09:00, ku është arrestuar i dyshuari shtetas i Turqisë, pasi që i njëjti ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij. Nuk raportohet për të lënduar. Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Ndërkaq, në Obiliq u arrestua një babi për shkak të dyshimit se ka rrahur të bijën. Për shkak të lëndimeve që ka pësuar, ajo ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Pa dhunë në familje nuk shpëtoi as Prizreni. Gjatë së hënës, atje u raportuan dy raste të tilla.
Të dyja rastet kanë ndodhur brenda 15 minutave.
Në orën 22:15, një vajzë ka raportuar se babai i saj ka ushtruar dhunë psikike ndaj saj, derisa i njëjti ka qenë në gjendje të dehur.
Kurse, rreth orës 22:30, një grua ka denoncuar në polici bashkëshortin e saj për dhunë në familje. Ajo u ka thënë hetuesve policorë se derisa kishte qenë në një restorant me dy fëmijët, bashkëshorti i saj, pas një fjalosje e kishte kapur për krahu duke i shkaktuar lëndime.
Për shkak të këtyre lëndimeve, ajo ka pranuar ndihmë mjekësore dhe bashkë me fëmijët është strehuar te familja e saj.
Në Pejë kanë ndodhur dy raste me dhunë në familje. Të dyja rastet kanë përfunduar me arrestimin e personave të dyshuar për kryerjen e veprës penale “dhunë në familje”.
Rasti parë raportohet se ka ndodhur gjatë mesnatës. Një burrë kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten me ç’rast edhe është arrestuar. Ndërkaq, viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Në rastin e dytë ka ndodhur po e njëjta dhunë, me dallim se ushtruesi i dhunës ishte në gjendje të dehur, gjatë kryerjes së aktit ndaj bashkëshortes. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Sipas policisë me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Edhe rasti i tretë që ka ndodhur në Klinë, ka përfunduar me arrestimin e personit të dyshuar i cili kishte kryer vepër penale të dhunës në familje. Në raport të policisë thuhet se bashkëshorti ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit bashkëshorti i saj është dërguar në mbajtje.
Dy rastet e fundit kanë ndodhur në Rajonin e Gjakovës, të cilat kanë përfunduar me arrestimin e dy të dyshuarve.
Rasti i parë ka ndodhur në Rahovec, pak para mesnate. Dyshohet se i biri kishte keqtrajtuar dy prindërit e tij. Në raport theksohet se nuk ka të lënduar. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Ndërkaq, rasti i dytë për rajonin e Gjakovës është i dhjeti që është raportuar në polici brenda 24 orëve të fundit. Ky rast ka ndodhur pas mesnatës, ku burri ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij. Sipas policisë, gruaja ka pranuar tretman mjekësor./Gazeta Sinjali/