Federata e Futbollit të Zvicrës ka reaguar duke i dhënë mbështetje të plotë kapitenit Granit Xhaka pas frustrimit të madh ndaj tifozëve të Arsenalit të dielën.
Xhaka reagoi me ashpërsi ndaj disa tifozëve gjatë zëvendësimit në barazimin 2:2 të së dielës ndaj Crystal Palaces.
Ai iu përgjigj atyre duke vendosur dorën në vesh ndaj turmës dhe duke i ofenduar ata në gjuhen angleze.
Kjo ka ngjallur spekulime se do t’i hiqet shiriti i kapitenit, por Federata e Futbollit të Zvicrës ka zbuluar të martën se ata kanë qenë në kontakt me Granitin dhe insiston se “qëndrimi i saj nuk ndryshon” sa i përket kapitenit të vendit të tyre.
“Ne jemi në kontakt me Granitin. Ne i vlerësojmë cilësitë dhe rëndësinë që ai posedon për skuadrën kombëtare. Si rezultat, qëndrimi i tij nuk do të ndryshojë”, thuhet në reagim.
Xhaka ka bërë 78 paraqitje te skuadra kryesore e Zvicrës dhe së fundmi ka drejtuar në rolin e kapitenit kombëtaren e tij në fitoren 2 me 0 ndaj Republikës së Irlandës./Gazeta Sinjali/