Federata e Basketbollit të Kosovës ka njoftuar se ka ndaluar udhëtimin e tifozëve mysafirë në mënyrë të organizuar në ndeshjet e Prince Caffe Superligës së Kosovës deri në fund të edicionit 2022/23.
Më poshtë mund të lexoni njoftimin e plotë të FBK-së:
“Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) konform nenit 23 të Statutit të FBK-së ka marrë vendim që të ndalojë udhëtimin e tifozëve mysafirë në mënyrë të organizuar në ndeshjet e Prince Caffe Superligës së Kosovës deri në fund të edicionit 2022/23 dhe ky vendim do të vlejë vetëm për ndeshjet e organizuara nga klubet, e jo në ndeshjet dhe eventet e organizuara nga Federata e Basketbollit e Kosovës (si Superkupa, Final 8 etj).
Bordi i FBK-së ka qenë i detyruar të marrë një vendim të tillë, duke u bazuar në disa nga ngjarjet e fundit që kanë ndodhur me tifozët në ndeshjet e basketbollit dhe për të evituar probleme edhe më të mëdha në të ardhmen, atëherë Bordi ka vendosur të ndërmarrë masa në këtë drejtim.
Ky vendim hyn në fuqi në ditën e miratimit të tij“, thuhet në komunikatën e FBK-së.