Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur shtëpitë mbesin pa përkujdesje. Kështu e ka pësuar edhe një familje në Suharekë, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se persona të panjohur kanë hyrë me forcë brenda një shtëpie në të cilën nuk ndodhej askush nga familjarët dhe që aty kanë arritur që të marrin para të gatshme e stoli ari.
Bazuar në dëshminë e ankuesit, hajnat kanë marrë rreth 3 mijë euro para të gatshme, ndërsa stolitë e arit kapin vlerën e rreth 2 mijë eurove. Ata po ashtu dyshohet se kanë vjedhur edhe pajisje muzikore rreth 2 mijë euro.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore të cilët kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit, ndërkohë që janë ndërmarrë veprimet hetimore për të identifikuar të dyshuarit.
Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen personat që dyshohen se kryen veprën.