image Facebook paralajmëron bllokimin e shpërndarjes së lajmeve në këtë shtet

Internet

Facebook paralajmëron bllokimin e shpërndarjes së lajmeve në këtë shtet

news image

Facebook ka kërcënuar se do t’i ndalojë përdoruesit të shpërndajnë përmbajtje të lajmeve në Australi, për shkak të projektligjit të ri të hedhur për shqyrtim nga qeveria, i cili e detyron këtë rrjet social t’i paguajë botuesit për artikujt e tyre.

Rregullatorët duan që gjigantët e teknologjisë si Facebook dhe Google të paguajnë për përmbajtjen e ripostuar nga mediat. Muajin e kaluar, Google paralajmëroi përdoruesit e tij se shërbimet e kërkimit mund të përkeqësohen si rezultat i këtij ndryshimi.

Masat e fundit për bllokimin e shpërndarjes së lajmeve pa pagesë në Facebook kanë përshkallëzuar tensionet midis firmave të teknologjisë dhe rregullatorëve. Rrjeti i mediave sociale tha se nëse legjislacioni i propozuar bëhet ligj, ai do të ndalojë australianët të ndajnë lajme në Facebook dhe në filialin e tij Instagram.

Komisioni Australian i Konkurrencës dhe Konsumatorëve (ACCC) ka hartuar rregullat për të “barazuar fushën e lojës” midis gjigantëve të teknologjisë dhe botuesve që thotë se po luftojnë për shkak të humbjes së të ardhurave nga reklamat. ACCC iu përgjigj kërcënimit të Facebook për ta bllokuar përmbajtjen e lajmeve duke shtuar se gjërat ishin keqkuptuar.

“Kodi thjesht synon të sjellë drejtësi dhe transparencë në marrëdhëniet e Facebook dhe Google me bizneset australiane të mediave”, tha kryetari i ACCC Rod Sims. Australia ka në plan të bëjë që gjigantët e teknologjisë të paguajnë për lajmet e ripostuara.

Por në një postim në blog, menaxheri i Facebook për Australinë dhe Zelandën e Re, Will Easton, tha se projektligji “keqkupton dinamikën e internetit dhe do të dëmtojë organizatat e lajmeve që qeveria po përpiqet të mbrojë”.

Bllokimi i lajmeve “nuk është zgjedhja jonë e parë – është e fundit”, tha ai, duke shtuar se shërbimet e tjera të Facebook që lejojnë familjen dhe miqtë të lidhen, nuk do të preken.

Një zëdhënës i Facebook i tha BBC se ai “do të japë detaje specifike për zbatimin e ndalimit së shpejti”. Disa ekspertë të biznesit argumentojnë se firmat e teknologjisë duhet t’i paguajnë botuesit për përmbajtjen cilësore të lajmeve që ata ribotojnë.

Google dhe Facebook paguajnë për disa përmbajtje të lajmeve në tregje specifike dhe thanë se ata planifikojnë t’i fusin këto iniciativa në më shumë vende. /Gazeta Sinjali