image Evropa i vetmi rajon ku numri i të infektuarve me COVID-19 po rritet

Evropë

Evropa i vetmi rajon ku numri i të infektuarve me COVID-19 po rritet

news image

Numri i rasteve me koronavirus në Evropë është rritur për të pestën javë radhazi, duke e bërë atë rajonin e vetëm në botë ku vazhdon të rritet infeksioni me COVID-19, njoftoi sot Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Në një raport javor për pandeminë, agjencia shëndetësore e OKB-së thekson se numri i rasteve të reja u rrit me 6.0 për qind në Evropë, krahasuar me rritjen prej 18 për qind të regjistruar javën e kaluar.

Numri javor i infeksioneve të reja në rajone të tjera ka rënë ose ka mbetur afërsisht i njëjtë, thuhet në raport.

Gjithsej tre milionë raste të reja javore janë raportuar në mbarë botën.

Numri i vdekjeve nga COVID-19 në botë u rrit me 8 për qind, kryesisht për shkak të Azisë Juglindore, ku shkalla e vdekjeve u rrit me 50 për qind, raporton agjencia AP.

OBSH ka dënuar gjithashtu vendet e pasura për futjen e dozave përforcuese, në një kohë kur shumica e vendeve të varfra ende nuk kanë administruar vaksina për popullsinë e tyre më të cenueshme.

OBSH njoftoi javën e kaluar se rreth një milion doza përforcuese jepen çdo ditë, që është rreth tre herë më shumë se numri i vaksinave të dhëna në vendet e varfra./GazetaSinjali/