Qytete të ndryshme të Kosovës po kanë probleme me furnizim të oksigjenit dhe jo vetëm, shkruan Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ishte edhe në Komunën e Gjilanit, ku dje nënkryetari i kësaj komune, Arbër Ismajli, përmes një postimi në Facebook tha në Spitalin Regjional të këtij qyteti, mbetet shqetësuese furnizimi me oksigjen dhe me sasinë e dytë të vaksinave kundër gripit sezonal.
Por, sot duket se ky problem është zgjidhur vetëm për një kohë të shkurtër.
Kështu u përgjigj Lutfi Haziri në një prononcim për Gazetën Sinjali, i cili tha se gjendja në Spitalin e Gjilanit është normalizuar mbrëmë natën vonë.
“Është bërë furnizimi me oksigjen në orët e hershme të mëngjesit, deri në mëngjes komuna ka furnizu, prej mëngjesit jemi furnizu prej operatorit të Qeverisë. Për momentin gjendja është mirë”, tha Haziri.
Ai po ashtu tha se ky problem duhet të zgjidhet një here e përgjithmonë, pasi për momentin kjo është zgjidhje vetëm e përkohshme.
“Me këtë ndihmesë të Ministrisë së Shëndetësisë do ta përballojmë që ta kalojmë këtë gjendje për një javë”, theksoi Haziri.
Kurse, sa i përket problemeve të tjera që ky spital po përballet tash e ca muaj, kreu i Gjilanit tha se gjendja me COVID-19 ka bërë që spitali të ngarkohet nga pacientët e prekur me këtë virus.
“Gjendja në spital është e mbingarkuar, prioritet është trajtimi i COVID, spitali po vazhdon të jetë i ngarkuar për shkak të rasteve me koronavirus në Gjilan”, shtoi tutje Haziri.
Ndryshe, vetëm në muajin nëntor në Komunën e Gjilanit janë regjistruar gjithsej 1180 raste me COVID-19.