I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i bëri thirrje Kuvendit të mos tentojë formimin e qeverisë së re sipas ndryshimeve të miratuara së fundmi në Ligjin për Presidentin.
Escobar tha se ai nuk e sheh se si SHBA mund të punojnë me një qeveri që do të formohej mbi këto kushte.
Ai shtoi se, në mungesë të një Gjykate Kushtetuese plotësisht funksionale, miratimi i një mase të diskutueshme për të kufizuar kompetencat e presidentit, duke injoruar këshillat e qarta të Komisionit të Venecias, minoi më tej institucionet demokratike të vendit.
“Mali i Zi tani është në një territor të paeksploruar, por unë dua të jem i qartë dhe t’i bëj thirrje Kuvendit që të mos përpiqet të formojë një qeveri të re sipas këtij ligji. Mesazhi im për liderët malazezë është: Mos e bëni këtë,” vuri në dukje Escobar.
I dërguari special tha se çdo qeveri e formuar në atë mënyrë dhe pa Gjykatën Kushtetuese do të kishte legjitimitet të dyshimtë.
“Takimet e mia këtu treguan se do të kishte pikëpyetje serioze për legjitimitetin e saj brenda Malit të Zi dhe në komunitetin ndërkombëtar. Zakonisht nuk flas për gjëra hipotetike, por nuk e shoh se si mund të punonin SHBA me një qeveri që do të formohej mbi këto kushte”, tha Eskobar.
Ai vlerësoi se hapi i parë për zgjidhjen e krizës është rivendosja e një Gjykate Kushtetuese plotësisht funksionale.