Emisari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë – Serbi, Gabriel Escobar, sot pritet të zhvillojë një vizitë zyrtare në vendin tonë, raporton Gazeta Sinjali.
Takimin e parë, në orën 08:45, ai do ta ketë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, me të cilën më pas do të dalin me deklaratë për media.
E përpos saj, Escobar pritet të takojë edhe përfaqësuesit e partive opozitare, ndonëse nuk janë dhënë më shumë detaje për këtë vizitë të tij.
Brenda pak javësh, kjo është hera e dytë që diplomati amerikan takon partitë e pakicës në vend.
Ndryshe, javëve të fundit janë intensifikuar përpjekjet e liderëve botërorë në çështjen e dialogut Kosovë –Serbi.
I fundit ishte sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i cili bisedoi përmes telefonit me kryeministrin Kurti dhe me presidentin Vuçiq. E në këtë proces janë angazhuar edhe kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, të cilët kanë dhënë një propozim për marrëveshjen dypalëshe.