I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka komentuar qëndrimin e opozitës ndaj Propozimit Evropian.
Escobar ka thënë se nuk kërkon që opozita ta mbështet kryeministrin.
Escobar ka thënë se kërkon që të mbështesin vizionin për vendet e tyre për marrëdhënie paqësore ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
“Shiko, porosia ime për opozitën ishte e qartë. E kuptoj se për arsye politike ata i kanë dallimet e tyre me kryeministrin. Në Serbi dhe në Kosovë nuk po i kërkoj opozitës që të mbështesin liderët si liderë politikë, por kërkoj që të mbështesin vizionin për vendet e tyre për marrëdhënie paqësore ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Kjo është porosia që ia dhashë opozitës. Nuk po kërkoj mbështetje për kryeministrin, por për një vizion të një Kosovë që mendoj se e ndajnë shumica e njerëzve në këtë vend.” – ka thënë Escobar për RTV21.
Ndryshe, Escobar dje ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e opozitës në rezidencën e ambasadorit të SHBA-së në Prishtinë, Jeffrey Hovienier.
Escobari shtroi darkë për përfaqësuesit e opozitës, Memli Krasniqit të PDK-së, Lumir Abdixhikut të LDK-së dhe Ramush Haradinaj i AAK-së.
Derisa dy të parët kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre, Haradinaj nuk do të jetë i pranishëm pasi gjendet në Gjermani.
Zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili e konfirmoi për Sinjalin se në darkë do të shkoj nënkryetari i kësaj partie, Ardian Gjini.
Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë deklaruar kundër formimit të Asociacionit, madje kanë shprehur dyshimet e tyre rreth planit të Bashkimit Evropian.
Pas shqetësimeve të ndërkombëtarëve ndaj qëndrimeve të tyre, përfaqësuesit e këtyre partive kanë treguar se për cilat pika të dokumentit kanë mospajtime dhe rezerva.
Ndërsa, Haradinaj i AAK-së është shprehur se dokumenti paraqet interes nacional të Kosovës dhe si i tillë duhet të përkrahet.