image Escobar në Maqedoninë e Veriut: Po punojmë që vendi juaj të jetë pjesë e Bashkimit Evropian

Rajon

Escobar në Maqedoninë e Veriut: Po punojmë që vendi juaj të jetë pjesë e Bashkimit Evropian

news image

Maqedonia e Veriut e ka vendin në Bashkimin Evropian. Ishte ky mesazhi i zëvendësndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Gabriel Escobar, gjatë një vizite në Shkup.

I dërguari special i presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, për Ballkanin Perëndimor kërkoi që sa më parë të nisin negociatat e anëtarësimit në BE.

“Dua të shpreh edhe njëherë mbështetjen e fortë të administratës tonë për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut. Ne po punojmë me partnerët tanë evropianë në mënyrë që kjo të ndodhë sa më shpejt. Mendoj se të gjithë jemi të mendimit se Maqedonia e Veriut është pjesë e Evropës, si në aspektin kulturor, historik, por edhe si ekonomi në rritje. Ju e keni merituar vendin në tavolinën e shteteve anëtare”, tha Escobar.

Ai vlerësoi rëndësinë dhe ndihmën që mund të ofrojë Maqedonia e Veriut në përballje me sfidat që mund të ketë jo vetëm Ballkani, por edhe Evropa në tërësi.

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, foli për samitin e 14 dhjetorit të BE-së dhe shpreson për një zhbllokim të procesit të negociatave të anëtarësimit.

“Edhe pas 14dhjetorit, në cilën do qoftë ditë, deri në fund të vitit, Sllovenia si kryesuese me BE-në, mund të thërrasë mbledhje të jashtëzakonshme të mbledhjes së ministrave të Evropës, nëse merr informata nga Bullgaria se janë të gatshme të pranojnë kornizën negociuese me Maqedoninë e Veriut. Pra, i gjithë muaji dhjetor është mundësi për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit. Por, kjo mund të ndodhë edhe më vonë”, tha Osmani, raporton a2news.

Gjatë qëndrimit në Shkup, zyrtari i DASH u prit dhe nga presidenti Stevo Pendarovski. Escobar, në takimin me kreun e shtetit, ofroi mbështetje për reformat dhe integrimin në BE. Pasi të përfundojë takimet në Shkup, zyrtari i Departamentit të Shtetit pritet që të vizitojë dhe Shqipërinë./GazetaSinjali/