I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se Qeveria e Kosovës duhet të jetë më pragmatike dhe të ketë një “qasje të re” lidhur me dialogun për normalizimin e raporteve me Serbinë.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zyrtari i lartë amerikan tha se Qeveria e Kosovës e ka të qartë se çfarë duhet të bëjë në procesin e dialogut.
“Ka ardhur koha për një qasje të re për disa nga personat që e kanë marrë dialogun si një opsion vetëm ‘po apo jo’. Dhe e kam fjalën konkretisht për Qeverinë e Kosovës. Ata kanë një detyrim të qartë për çfarë duhet të bëjnë. Dhe mendoj se deklarata e [përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep] Borrellit [pas rundit të fundit të dialogut] ishte shumë e qartë. Serbinë e inkurajojmë të vazhdojë të jetë konstruktive dhe e duruar, por gjithashtu vazhdojmë t’i kërkojmë Serbisë të mos bëjë ndonjë gjë destabilizuese brenda Kosovës. Do të duhet të vazhdojmë të punojmë me dialogun. Nuk ka alternativë. Nuk ka alternativë për rajonin përveç integrimit evropian”, tha ai.
Kosova dhe Serbia më 14 shtator në rundin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian nuk arritën ndonjë rezultat.
Pas takimit, nga BE-ja thanë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ishte i gatshëm të ecte përpara, ndryshe nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili “e ka pranuar propozimin e tyre” për zbatimin e Marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, deklaroi se Kurti ka këmbëngulur që të formalizohet, fillimisht, njohja de facto e Kosovës nga Serbia.