Një segment i një rruge në Tiranë është emëruar “Dëshmorët e 4 shkurtit”, siç raportoi “Top Channel”, 79 vite pas kësaj masakre. Por krejt kjo, po përcillet me reagime, pasi që duket se është “coptuar” rruga që mban emrin e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Sipas raportimit të mediumit shqiptar, kryetari i Tiranës, Erion Veliaj, të shtunën ka pritur në takim zyrtarë të organizatave kombëtare të Veteranëve e familjarë të dëshmorëve, ku edhe është bërë emërimi i rrugës.
Segmenti që do të mbajë këtë emër, duket se është nga rruga nga Banka e Shqipërisë, e deri te lumi Lanës.
“Rikthyet në vend një çështje që ishte, jo vetëm gabim, por edhe një shtrembërim dhe një vlerësim jo në kohën e duhur dhe jo në lartësinë e duhur. Ju e korrigjuat. Ju lumtë!” – citohet të ketë thënë njëri nga të pranishmit në takim me Veliajn.
Ndaj krejt kësaj situate, ka reaguar Jorida Tabaku, deputete e qarkut të Tiranës në Parlamentin e Shqipërisë, e cila po thotë se është hequr emri i “Ibrahim Rugovës” për “4 shkurtin”.
“Në 17 shkurt 2012 Tirana inaguroi rrugën Ibrahim Rugova në aksin Banka e Shqipërisë deri në hyrje të Liqenit Artificial. Qe nder dhe privilegj për Tiranën dhe tiransit që një figurë e çmuar dhe me rëndësi për kombin tonë të kishte atë emër në atë vend. Vendimi u mor pas një kërkese që familja e Ibrahim Rugovës na drejtoi ne si bashki dhe Këshilli Bashkiak e nderoi qytetin e Tiranës me një patriot, arkitektin e Kosovës së Lirë.” – ka thënë ajo.
E njëjta, ka pretenduar se kjo rrugë është “coptuar”, duke u sajuar një tjetër (duket se e ka fjalën për segmentin e lartëpërmendur”, me emërtimin e një date tjetër.
“Fatkeqësisht, lufta e klasave rikthyer në 2023 e copëtoi këtë rrugë duke sajuar një tjetër gjysma rrugë me emërtim të një date që nuk është se personifikon apo bashkon dhe aq shqiptarët e aq më pak qytetarët e Tiranës. Se si mund të ulësh përbri rrugës Ibrahim Rugova hallin elektoral të Erion Veliaj, që do të prodhojë dëshmorë, vështirë se mund të kuptohet. Lë pastaj të përziesh historinë dhe ta retushosh.” – ka shkruar ajo mes tjerash.