Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, e uroi Joe Bidenin, për fitoren në zgjedhjet presidenciale në SHBA.
Erdogan tha se marrëdhëniet dypalëshe janë të natyrës “strategjike” dhe se duhet të forcohen më tej, duke u bazuar në interesat e përbashkëta.
Erdogan përsëriti “vendosmërinë e Ankarasë për të punuar nga afër me administratën amerikane”, gjatë periudhës së ardhshme.
“Bashkëpunimi dhe aleanca e fortë” midis dy vendeve do të vazhdojnë të kontribuojnë në paqen në botë, tha Erdogan.
Marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Turqisë janë tensionuar kohëve të fundit për një varg çështjesh, përfshirë krizën në Siri dhe bashkëpunimin ushtarak të Ankarasë me Rusinë.
Presidenti i zgjedhur, Biden, ka thënë pas fitores se do të jetë president i të gjithëve, ndërsa ka paralajmëruar se prioritet i administratës së tij do të jetë lufta kundër pandemisë së koronavirusit.
Presidenti aktual i SHBA-së, Donald Trump, nuk e ka pranuar humbjen në zgjedhje.
Pa paraqitur asnjë provë, Trump ka thënë se zgjedhjet janë vjedhur.