Presidenti turk Tajip Erdogan do të flasë me telefon me Vladimir Putin të dielën për të diskutuar luftën e Rusisë në Ukrainë, tha zëdhënësi Ibrahim Kalin, duke shtuar se Turqia është e gatshme të ndihmojë në zgjidhjen e krizës.
Anëtari i NATO-s, Turqia ndan një kufi detar me Ukrainën dhe Rusinë në Detin e Zi dhe ka lidhje të mira me të dyja.
Ankaraja e ka quajtur pushtimin të papranueshëm dhe ka ofruar të presë bisedimet e paqes, ndërsa ka bërë thirrje për një armëpushim, shkruan Reuters.
Duke folur me gazetarët në Stamboll të shtunën, Kalin tha se Erdogan do t’ia përsëriste këtë ofertë Putinit dhe do t’i kërkonte atij që t’i “i japë një shans” një armëpushimi humanitar dhe të krijojë korridore humanitare të nevojshme për evakuimin e civilëve dhe dërgesat e ndihmave.
“Mesazhi i presidentit tonë është që lufta dhe sulmet të ndalen menjëherë, që bisedimet të fillojnë duke u bashkuar në një bazë të përshtatshme dhe t’i japin një shans diplomacisë”, tha Kalin.