Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan zhvilloi një bisedë telefonike me homologun e tij rus, Vladimir Putin, transmeton Gazeta Sinjali.
Sipas deklaratës nga Drejtoria e Komunikimeve pranë Presidencës së Turqisë thuhet se Erdoğan dhe Putin biseduan për zhvillimet rajonale me theks të veçantë edhe marrëdhëniet turko-ruse dhe Karabakun Malor.
Erdoğan-i i tha Putinit se Armenia duhet të tërhiqet nga tokat azerbajxhanase që ka pushtuar, duke vënë në dukje se kundër-ofensiva e Azerbajxhanit përballë sulmeve armene po bëhet brenda tokave të tyre.
Gjatë telefonatës, presidenti turk theksoi më tej se Armenia duhet të bindet për t’u ulur me mendje të shëndoshë në tryezën e bisedimeve, ndërsa shtoi se përfundimi i këtij konflikti me një zgjidhje të përhershme dhe stabiliteti i rajonit është i një rëndësie thelbësore.
Më herët gjatë ditës, gjatë një kongresi provincial të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), Erdoğan kishte thënë se ka marrë lajme pozitive nga presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev për përparimin e forcave azerbajxhanase në konfliktin në Karabakun Malor.
Erdoğani tha se po afrohet fitorja në Karabakun Malor, ku azerbajxhanasit po shënojnë suksese të shumta në çlirimin e territoreve të okupuara nga Armenia.
Menjëherë pas bisedës telefonike Erdoğan-Putin, një bisedë telefonike zhvilloi edhe ministri i Jashtëm, Mevlut Çavushollu (Mevlüt Çavuşoğlu) me homologun e tij rus, Sergey Lavrov.
Burime diplomatike bëjnë të ditur se dy diplomatët diskutuan gjithashtu çështjen e Karabakut Malor.