image Erdhi dita për Albin Kurtin, bëhet Kryeministër i Kosovës

Kosovë

Erdhi dita për Albin Kurtin, bëhet Kryeministër i Kosovës

news image

Lideri më i fortë opozitar, Albin Kurti, pas 23 vitesh rrugëtim politik është bërë Kryeministër i Kosovës.

Seanca e sotme e Kuvendit që u thirr për votimin e Qeverisë Kurti, kaloi me shumë akuza dhe rivalitet nga ata që për shumë vite udhëhoqën Republikën e Kosovës.

Pas më shumë se gjashtë orësh tensione, tallje dhe paralajmërime për opozitë të fortë, deputetët me shumicë votash votuan qeverinë e re, kryesuar nga Albin Kurti, shkruan Gazeta Sinjali.

Për përbërjen e qeverisë së re, 66 deputetë votuan pro, asnjë kundër dhe  10 abstenuan.

Pak para votimit të qeverisë, deputetet e Partisë Demokratike të Kosovës kanë lëshuar sallën e Kuvendit.

Ata që dikur u përballën me gazin lotsjellës në seancat e Kuvendit, morën fjalën për të kritikuar në masë të madhe Albin Kurtin. Kundër tij folën edhe deputetët që iu kishte dëgjuar shumë rrallë zëri nëpër seancat e rregullta të Kuvendit.

Rivali i moçëm i Kurtit, Kadri Veseli, edhe sot akuzoi kryeministrin e ri të Kosovës për organizatën terroriste ‘Syri i Popullit’.

Sipas Veselit, Kurti është kreu i kësaj organizate dhe për këtë duhet të japë llogari.

Kritika të ashpra Kurti mori edhe nga ish-zëvëndëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj. Ky i fundit tha se Kurti nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe nuk e njeh fare se si funksionin, duke i bërë kështu thirrje LDK-së si partner i koalicionit që ta mësojnë kryeministrin e ri se si funksionin shteti.

Kundër Kurtit ishte mobilizuar fort edhe partia e ish-kryeministrit të dorëhequr, Ramush Haradinaj. Teuta Haxhiu, Time Kadrijaj dhe Shkumbin Demalijaj, janë tre nga deputët e Kuvendit nga radhët e Alenacës për Ardhmërinë e Kosovës, që ia kujtuan Kurtit rritjen e numrit të ministrive, flamurin Kuq e Zi, UÇK-në dhe e quajtën ‘ të etur për pushtet’. Demalijaj, ia recitoi ish-liderit opozitar poezinë ‘ylli i vogël lartë në qiell’. Ky gjest u komentua aq sa edhe vendosja e dy flamujve në setrën e Kurtit nga deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, gjatë kohës sa kryeministri i ri po shpaloste programin qeverisës.

Por, koalicioni LVV-LDK, u përkrah nga partia tjetër opozitare AKR-ja. Behgjet Pacolli tha se partia e tij do të jetë konstruktive në këtë legjislaturë dhe se do të jenë të pranishëm për të votuar gjithçka që është në të mirë të Kosovës. Duke konfirmuar dy votat e partisë së tij për Qeverinë Kurti.

Albin Kurti u bë kryeministër i Kosovës pas 120 ditësh përpjekje e negociata intensive me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Dy partitë dje në mëngjes nënshkruan marrëveshjen finale për bashkëqeverisje.

Mospajtimet në mes dy partive u evituan me një marrëveshje, sipas së cilës nënkryetari i LVV-së, Glauk Konjufca, ia liroi vendin nënkryetares së LDK-së, Vjosa Osmanit në pozitën e kreut të Kuvendit.

Nga Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca është zgjedhur ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës; Albulena Haxhiu ministre e Drejtësisë; Arben Vitia ministër i Shëndetësisë; Besnik Bislimi ministër i Financave dhe Transfereve; Blerim Reka ministër i Integrimeve Evropiane dhe Rozeta Hajdari ministre e Ekonomisë dhe Investimeve Strategjike.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Agim Veliu është zgjedhur ministër i Punëve të Brendshme; Lumir Abdixhiku ministër i Infrastrukturës dhe Ambientit; Anton Quni ministër i Mbrojtjes; Hykmete Bajrami ministre e Arsimit, Shkencës dhe Telekomunikacionit; Vlora Dumoshi ministre e Kulturës dhe Sportit; Besian Mustafa ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Emilia Rexhepi nga pakicat joserbe do të jetë ministre e Administrimit të Pushtetit Lokal; Dalibor Jevtiq ministër për Komunitete dhe Kthim dhe Ivan Millojeviq ministër për Zhvillim Rajonal.

Lëvizja Vetëvendosje për herë të parë ka dalë e para në zgjedhjet nacionale të datës 6 tetor 2019, rezultat ky që ndryshoi komplet skenën politike kosovare. /Gazeta Sinjali/