image “Erdh në korridor të Komunës...”, Gjini tregon si u kërcënua nga një qytetar

Siguri

“Erdh në korridor të Komunës…”, Gjini tregon si u kërcënua nga një qytetar

news image

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka reaguar pas raportimeve se është kërcënuar nga një qytetar.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Gjini ka thënë se ngjarja ka ndodhur në objektin e Komunës, ku i dyshuari kishte përdorur fjalë kërcënuese ndaj tij, raporton Gazeta Sinjali.

“Një qytetar ka ardhur në objektin e komunës dhe në korridor ka filluar të ngris zërin dhe të përdor fjalë kërcënuese. Për këtë rast është lajmëruar policia e cila ka verifikuar kamerat e sigurisë dhe zërin dhe me sa jam unë në dijeni e ka ndaluar personin”, ka shkruar ai.

Ndryshe, burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë dhe kanë njoftuar se i dyshuari është prangosur dhe i është caktuar masa e ndalimit.

Lajmin për Sinjalin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale e Gjakovës. Sipas Policisë, rasti është denoncuar nga zyrtarët komunalë.

Policia tutje bëri të ditur se janë intervistuar disa dëshmitarë, derisa i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Ndryshe, sipas Kodit Penal, kushdo që kryen veprën penale “kanosja” mund të dënohet me gjobë dhe burgim.

“1. Kushdo që seriozisht e kanos personin tjetër me fjalë, vepra apo gjeste se do t’i shkaktoj ndonjë të keqe me qëllim të frikësimit ose të shkaktimit të ankthit te personi i tillë, dënohet me gjobë ose me burgim deri në gjashtë (6) muaj.

2. Kushdo që seriozisht i kanoset personit tjetër me fjalë, vepra apo gjeste se do ta privojë nga jeta ose se do t’i shkaktojë lëndim të rëndë trupor, se do ta rrëmbejë ose privojë nga liria ndonjë person tjetër ose se do ta dëmtojë me armë zjarri, me shpërthim ose me mjete të tjera të rrezikshme, dënohet me gjobë ose me burgim deri në një (1) vit.”

/GazetaSinjali/