Kohëve të fundit janë shpeshtuar deklaratat publike të liderëve të shteteve të ndryshme se normalizimi i raporteve midis Kosovës dhe Serbisë duhet të ketë për bazë njohjen e ndërsjellë.
Për normalizimin e raporteve midis këtyre dy shteteve, në Bruksel për më shumë se 11 vjet po zhvillohet dialogu nën ndërmjetësimin e bllokut evropian, por ky proces deri më tani nuk i ka afruar aq shumë palët që të mund të thuhet se janë afër arritjes së një marrëveshjeje finale.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka shprehur habinë e tij lidhur me deklaratat e shpeshtuara se dialogu duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë. Lideri serb ka thënë se e ka ditur se ky është qëndrim i Perëndimit, por deri më tani nuk e ka thënë askush zyrtarisht.
Kosova insiston që dialogu duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, ndërkaq Serbia kërkon një zgjidhje kompromisi.
Por, diplomatët në Bashkimin Evropian pohojnë se liderët në Serbi që nga fillimi i dialogut me Kosovën, e kanë ditur se normalizimi gjithëpërfshirës do të nënkuptojë “një lloj njohjeje”.
Më 10 qershor, gjatë vizitës në Kosovë, kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, deklaroi se marrëveshja përfundimtare duhet të zgjidhë njohjen e çështjes së Kosovës. Për diplomatët në BE, ky është një qëndrim i kuptueshëm, pasi Gjermania e ka njohur Kosovën si shtet.
Të njëjtin qëndrim që dialogu duhet të përmbyllet me njohje të ndërsjellë e ka thënë në Prishtinë edhe ministri i Jashtëm i Austrisë, Alexander Schallenberg.
Ndërsa, për herë të parë në një raport për Serbinë, edhe Parlamenti Evropian ka përfshirë një amendament në të cilin thuhet se baza e marrëveshjes për normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë njohja e ndërsjellë.
Disa nga shtetet e BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës kanë thënë se këtë qëndrim e kanë pasur për shkak të “respektimit të të drejtës ndërkombëtare”. Por, pas mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, ato kanë thënë se do të ndjekin dialogun dhe “do të pranojnë çfarëdo rezultati që do të arrihet në dialog”.
Në BE thonë se arsyeje e vetme pse nuk mund ta përmendin njohjen si qëllim të dialogut është fakti se në BE ende janë pesë shtete që nuk e kanë njohur Kosovën.
“Edhe pse kjo nuk mund të thuhet zyrtarisht dhe publikisht, të gjithë në BE e dinë se nuk mund të quhet normalizim ndonjë situatë në të cilën dy shtete nuk do ta njohin njëra-tjetrën”, thotë për REL një burim në BE.
Ky burim shton se BE-ja, edhe pa e përmendur formalisht, e ka bërë të qartë se njohja është qëllimi i dialogut. Për më tepër, marrëveshja për dialogu, e cila do të kishte në bazë njohjen e ndërsjellë do të hapte mundësinë që pesë vendet anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, ta bëjnë një gjë të tillë.
Për shembull, në BE disa herë kanë thënë se dialogu duhet të sigurojë normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve që do të mundësonte që të dyja palët të avancojnë në rrugën e tyre përkatëse evropiane. Edhe ky formulim, thonë diplomatët, e bën të qartë “të kuptohet se si shihet përmbyllja e dialogut”.
Një tjetër diplomat i BE-së që foli për Radion Evropa e Lirë në kushte anonimiteti, rikujtoi edhe formulimin që gjendet në kornizën negociuese të BE-së me Serbinë. Në të nuk flitet për “raportet mes Beogradit dhe Prishtinës”, formulim që përmendet nga Serbia, por për “raportet mes Kosovës dhe Serbisë”.
Normalizimi i raporteve me Kosovës, përmes një marrëveshjeje ligjërisht obliguese është kusht për Serbinë që të anëtarësohet në BE.
“Ky proces duhet të sigurojë që të dyja palët të mund të vazhdojnë rrugëtimin e tyre përkatës evropian, duke evituar që cilido të mund të bllokojë tjetrin në këto përpjekje dhe gradualisht duhet të çojë deri te normalizimi gjithëpërfshirës i raporteve midis Serbisë dhe Kosovës, në formën e një marrëveshjeje ligjërisht obliguese deri në anëtarësimin e Serbisë në BE, me pritjen që të dyja të kenë mundësi të ushtrojnë të drejtat dhe të përmbushin obligimet e tyre”, thuhet në kornizën e cila është bazë e BE-së për negociatat e anëtarësimit me Serbinë.
“Nëse kjo lexohet me kujdes, atëherë është e qartë se kjo nënkupton njohjen, pa e përmendur atë”, thotë për Radion Evropa e Lirë një diplomat i BE-së.
Qëndrimet rreth asaj se a duhet domosdo që dialogu të përmbyllet me njohje të ndërsjellë apo jo, ndërtohen edhe në bazë të shteteve nga vijnë zyrtarët apo diplomatët. Disa nga diplomatët e vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën thonë se “nuk do të thotë domosdo që njohja është i vetmi qëllim i dialogut”.
Edhe raportuesi për Serbinë në Parlamentin Evropian, Vladimir Biliçik, ka kundërshtuar përfshirjen e referencës për njohje të ndërsjellë si qëllim i dialogut. Ky diplomat vjen nga Sllovakia, shtet që nuk e ka njohur Kosovës dhe ka thënë se shteti i tij nuk ka dhënë sinjale se do të ndryshojë qëndrimin.
Biliçik ka pranuar se ka qenë kundër përmendjes së njohjes, por po ashtu ka pohuar se përfshirja në raportin e Parlamentit Evropian për Serbinë të amendamentit për njohjen paraqet vullnetin e shumicës në BE.
Pohimet gjithnjë e më të shpeshta të zyrtarëve të lartë nga shtetet e BE-së, e sidomos të atyre me ndikim, siç është kancelari i Gjermanisë, mund të jenë shenja se dëshirohet përshpejtim i dialogut dhe arritja e një marrëveshjeje përfundimtare.
Burimet në BE thonë se “ka dallime në qasje midis disa shteteve rreth asaj se a duhet të insistohet më shumë në njohje, e kjo do të ndihmonte në arritjen e marrëveshjeve për gjërat e tjera në dialog, apo duhet të arrihen disa marrëveshje përmes të cilave do të krijohej një mirëbesim midis palëve, i cili do të çonte deri te njohja”.
Problemi qëndron në faktin se në dy vjetët e fundit ka pasur, siç thonë diplomatët, “përparim të kufizuar”, e disa madje shprehen se “nuk ka pasur fare përparim” në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.
Por, thirrjet e Parlamentit Evropian, ndonëse kanë një peshë politike, nuk pritet të kenë ndonjë ndikim te vendet që nuk e kanë njohur Kosovën.
Pesë shtetet anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën janë: Spanja, Rumania, Sllovakia, Qipro dhe Greqia.
“Njohja është një kompetencë e vendeve anëtare. Nuk presim që thirrjet e Parlamentit Evropian të kenë ndonjë ndikim. Po të kishte, deri tash shtetet anëtare do ta njihnin Kosovën si shtet, pasi Parlamenti Evropian vazhdimisht e kërkon një gjë të tillë”, thotë një diplomat i BE-së.
Zyrtarët e BE-së të cilët janë të përfshirë në raportet me rajonin e Ballkanit Perëndimor janë shumë të kujdesshëm kur flasin për njohjen midis Kosovës dhe Serbisë. Ata kanë frikë se mos ndonjë deklaratë e tyre mund të keqkuptohet nga ndonjëra palë dhe mund të ketë ndikim negativ në procesin e dialogut.
Disa burime diplomatike nga vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, thanë se nga përfaqësuesit e BE-së kanë dëgjuar se “mosnjohja nga pesë shtetet është një gjë e mirë për përfshirjen e BE-së si lehtësues në dialog, pasi mund të paraqitet si një ndërmjetëse e paanshme”.
Përderisa të ketë vende në BE që nuk e njohin Kosovën, nga BE-ja nuk mund të thonë publikisht dhe formalisht është qëllimi i njohjes së Kosovës. Por, burimet e BE-së në Bruksel thonë se “është më se e qartë se çfarë nënkupton normalizimi gjithëpërfshirës, me marrëveshje ligjërisht obliguese”. Sikurse edhe në rastet e tjera, gjatë procesit të dialogut, palët kanë interpretime të ndryshme edhe të asaj se cili është qëllimi përfundimtar i dialogut.