Zëvendëskryeministri në detyrë nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se partie e tij, të hënën nuk do e votojë qeverinë Kurti dhe në asnjë variant nuk do jetë pjesë e Qeverisë së ardhshme të Kosovës.
Anëtari i kryesisë së PDK-së, fajtor kryesor për moskrijimin e institucioneve të Kosovës e sheh liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
“Partia Demokratike e Kosovës është në opozitë, do mbetet në opozitë. Dy orë pasi ka dal rezultati zgjedhor që do mbesim në opozitë dhe do sillemi si opozitë ndaj çdo procesi politik përgjegjësia kryesore për mos formimin e institucioneve i takon Vetëvendosjes dhe zotërit Kurti meqë ai ka marr mandatin dhe në të kaluarën kur PDK i ka fituar zgjedhjet ne kemi marr mandatin dhe kemi krijuar qeverinë… Absolut jo opozita nuk voton një qeveri e cila formohet prej partive tjera politike”, tha Hoxhaj.
Madje ai tha se PDK nuk ka votë as për qeverinë e pakicës. Sipas Hoxhajt, Kurti ka mungesë të vullnetit për krijimin të institucioneve të reja të vendit.
“Iu takon partive politike të cilat duhet ta themelojnë qeverinë që ata ta sqarojnë se çka i bie një qeveri e pakicës. Partia Demokratike e Kosovës mbetet në opozitë nuk ka votë prej anës tonë natyrisht për një qeveri të tillë, por përgjegjës kryesor është zotëri Kurti dhe VV të cilët e kanë vendosur vendin në një krizë politike me mungesë vullneti dhe me një mungesë besimi në krijimin e institucioneve të reja”, tha Hoxhaj.
I pyetur se a është e gatshme PDK për zgjedhje, Hoxhaj tha se zgjedhje nuk do të ketë.
“Qytetarët e Kosovës nuk kanë zgjedhur më 6 tetor për të pasur përsëri zgjedhje, zgjedhje të reja nuk ka”, tha Hoxhaj.
Nënkryetari i PDK-së ka komentuar edhe vizitën e djeshme në Kosovë të përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme, Josep Borrell për cka tha se ai ka bërë gabim që nuk e takoi kryeministrin në detyrë, Ramush Haradinaj.
Derisa si gabim të dytë e renditi diskursin politik të Borrell karshi Kosovës.
“Mendoj që zotëri Borrell dje ka bërë shumë gabime gjatë vizitës së tij të parë në Kosovë. Së pari në formë nuk ka pasur vullnet që të takojë kryeministrin dhe qeverinë e Kosovës . Dhe gabimi i dytë ka qenë diskursi i tij politik i cili ka folur për Kosovën sikurse Kosova të ishte në një gjendje politike para vitit 2008”, deklaroi Hoxhaj.
Hoxhaj ka folur edhe për takimin e mbrëmshëm në mes të kreut të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti me përfaqësues të Listës Serbe.
Sipas tij me këtë takim Kurti tregoi se nuk është lider serioz.
“Zotërin- Kurti asnjëherë se kemi marr seriozisht çfarë ka thënë në të kaluarën dhe sjellja e tij e mbrëmshme dhe takimi i tij me Listën Serbe tregon se nuk ka qenë lider serioz”, tha ai.
Mandatari për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti ka thirrur për ditën e hënën seancë që të votohet qeveria e re.
Janë bërë dy muaj që nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit, por që Lëvizja Vetëvendosje, si partia e parë që doli në këto zgjedhje, nuk ka arritur të krijojë qeverinë, ndonëse ka zhvilluar takime të shumta me liderin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa./Gazeta Sinjali/