Trajneri i Villarrealit, Unai Emery, ka paralajmëruar skuadrën e tij që të tregojë respekt “të madh” ndaj Bayern Munichut kur ata të takohen në ndeshjen e tyre të dytë çerekfinale të Ligës së Kampionëve këtë javë, transmeton Sinjali Sport.
Villarreal mundi gjigantët gjermanë 1-0 në ndeshjen e parë në Spanjë javën e kaluar dhe udhëton në Mynih për të synuar një kualifikim në gjysmëfinale të martën.
Por Emery ka paralajmëruar se ekipi i tij nuk mund të nënvlerësojë skuadrën e Julian Nagelsmann dhe pranon se përplasja do të jetë më e vështira në karrierën e tij si trajner.
“Respekti për Bayernin duhet të jetë i madh në çdo drejtim. Do të jetë shumë e vështirë dhe ne duhet të dimë si të përgjigjemi”, u tha ai gazetarëve.
“Do të jetë e komplikuar, ne e dimë se ata janë mësuar të shënojnë shumë gola në shtëpi dhe kjo është normale.
“Ata kanë respekt për ne, por e dinë se nëse luajnë në një nivel të lartë janë favorit dhe shënojnë gola. Ata janë optimistë dhe ndihen të fortë në shtëpi.
“Natyrisht në kuptimin e vështirësisë [kjo është ndeshja më e madhe e karrierës sime], por jam i bindur se do të konkurroj kundër një ekipi të favorizuar për të na mundur.
“Po mundohem t’i ndihmoj lojtarët të bëjnë më të mirën, duke e ditur se është shumë e ndërlikuar. Duke ditur rëndësinë dhe t’u tregoj se ekipi është i aftë të përballet me ekipe të këtij niveli.
“Do të jetë një lojë shumë e ndryshme nga [ndeshja kundër] Juventusit dhe për shkak se është larg shtëpisë, do të jetë më e komplikuar.
“Ne duhet t’i mbajmë ata në mbrojtje dhe të jemi të rrezikshëm në sulm. Por unë pres një lojë ndryshe nga ajo në shtëpi“, ka deklaruar trajneri spanjoll.
Kushdo që kualifikohet tutje ndërmjet Villarrealit dhe Bayernit, do të përballet me Liverpool ose Benfica në raundin tjetër.
Liverpool kryeson në ndeshjen e parë me rezultat 3-1 në total pasi mundi gjigantët portugez në Lisbonë javën e kaluar.