image El Paso nuk e mirëpret Presidentin Trump

Botë

El Paso nuk e mirëpret Presidentin Trump

news image

Pas sulmit me armë zjarri në El Paso, që la të vdekur 22 persona e shumë të tjerë të plagosur,  banorët e këtij qyteti  po e refuzojnë vizitën e Presidentit amerikan, Donald Trump.

Trump ka paralajmëruar se këtë të mërkurë do ta vizitojë qytetin El Paso në Teksas,  por qytetarët e atjeshëm  kanë thënë se ai nuk është i mirëpritur, transmeton agjencia e lajmeve AFP.

Si pasojë e dy sulmeve që kanë ndodhur në El Paso dhe Ohajo, kanë vdekur 31 persona gjatë fundjavës në Shtetet e Bashkuara.

Presidenti amerikan u ka bërë thirrje amerikanëve gjatë një fjalimi të hënën që të dënojnë fanatizmin dhe supremacinë e bardhë, mirëpo liderët e komunitetit kanë thënë se presidenti ka një histori me postime provokative në rrjetin social, Twitter.

 “Ky president, që ka ndihmuar në krijimin e urrejtjes dhe e ka bërë të mundshëm tragjedinë e së shtunës, nuk duhet të vijë në El Paso”, ka thënë kandidati demokrat për president, Beto O’Rourke, i cili është rritur në këtë qytet.

“Nuk na duhen më shumë ndasi. Neve na duhet të shërohemi. Ai nuk ka vend këtu”, ka shtuar O’Rourke.

Para se të niste të shtënat në një dyqan në El Paso, 21-vjeçari që dyshohet se ka kryer sulmin, është thënë të ketë postuar në rrjete sociale një dokument kundër “pushtimit hispanik në Teksas”.

Kritikët kanë përmendur gjuhën e përdorur nga Trumpi në Twitter apo nëpër marshe, ku disa herë u është referuar migrantëve hispanikë si pjesë të një “pushtimi”.

Kryetari i El Pasos, Dee Margo, ka thënë pas lajmit për vizitën e Trumpit se ai do ta mirëpresë presidentin vetëm sepse është detyra e tij për ta bërë një gjë të tillë./Sinjali/